Salianji reagon nga burgu: Një hap më shumë drejt Brukselit, melhelm për Shqipërinë

Shqipëria

Salianji reagon nga burgu: Një hap më shumë drejt Brukselit, melhelm për Shqipërinë

Më: 26 tetor 2024 Në ora: 14:50
Ervin Salianji

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka reaguar me një letër nisur nga burgu ku ai po vuan dënimin, lidhur me avancimin e Shqipërisë në marrëdhëniet me BE-në.

Ai u shpreh se ky është një lajm pozitiv, pasi sipas tij një hap më shumë drejt Brukselit është “melhelmi për plagën tonë”.

Letra e plotë e Ervin Salianjit

Kënd nga qelia nr.6- Për Shqipërinë në BE.

Lajmet e mira, pak më vonë se të këqijat, sidoqoftë mbërrijnë dhe në qelitë e të burgosurve politikë. Kështu lajmi mbi avancimin  e Shqipërisë në marrëdhëniet me BE-në, një hap më shumë drejt Brukselit, është  pozitiv,  në gjithë atmosferën mbytëse në Shqipëri e pavarësisht se autokrati e ka hapur shampanjën e fitores së gënjeshtërt edhe 8 herë të tjera vitet e shkuara. Mundet që ndokush nuk e përjeton të tillë, sepse ndërsa duket se këtu po bëhen hapa pas, kur janë vënë në dyshim parime dhe vlera, liri e të drejta që u arritën para 34 viteve me rrëzimin e regjimit komunist, edhe kur shihet se sundimi i qeverisë dhe kontrolli i institucioneve nga një dorë është fakt dhe shfaqet në gjithë përmasat e tij si e kundërta e Europës, hapen negociatat. E pra sërish e gjithmonë zgjidhja e vetme është; më shumë Europë.

Ka idealistë që me të drejtë shqetësohen me paradoksin se si disa zyrtarë të Brukselit mbështesin autokratin e korruptuar. Por, serish e ne çdo rast, më shumë Europë, është melhemi për plagën tonë. Sa më afër BE-së, aq më i madh ekspozimi i qeverisjes së keqe, aq më e dukshme fotografia e realitetit të demokracisë nën thundër në Tiranë.

Ai ka për t’i marrë nderet e rastit, fotot dhe lëvdatat. Janë thjesht kortezia e protokollit. Është shoqëria, shqiptarët, që në fakt i kanë të gjitha meritat.

Nuk besoj të ketë një vend të rajonit tonë, ku qytetarët me vokacionin dhe aspiratat, vlerat e parimet ku qëndrojnë, të kenë shkuar shumë më përpara shumë më herët drejt Perëndimit, se sa udhëheqësit e tyre.

Të gjitha ngjarjet tregojnë madje se rilindja ka qenë pengesë, e pengesë serioze në rrugën e integrimit. Sfidat më të vështira që ka hasur dhe përballet edhe sot vendi ynë, janë korrupsioni dhe krimi e lidhjet e tij me politikën. Nëse dikush bën pyetjen se kush është burimi më i madh për këto dy fenomene, çdokush do të drejtojë menjëherë gishtin nga qeveria.

Po nëse qëndrojmë në këtë terren, në këtë argument, është dikush që sot duhet falënderuar për kontributin në këtë drejtim. Është Opozita, Partia Demokratike, dhe kjo duhet thënë pa droje, pa asnjë kompleks. Në këtë sens, ne kemi bërë më shumë se qeveria për integrimin. Aferat më të mëdha korruptive sot, të cilat shënohen si rekorde të luftës që po i bën drejtësia, janë zbuluar dhe janë denoncuar, madje edhe referuar nga Opozita. Në asnjë rast të vetëm qeveria nuk ka prodhuar një kontroll, një audit, ku të ketë gjetur shkelje e të jetë “vetkorigjuar”

Edi Rama reagon gjithnjë pas vaktit, dhe hajdutëritë e mëdha e ka zakon t’i emërtojë si gjëra të vogla, si fruta. Kush më shumë se sa ne, se sa Opozita ka luftuar me krimin, me bandat, me grupet e rrezikshme mafioze të lidhura me qeverinë.

Një betejë pa ndalim dhe jo me pak kosto, jo me pak sakrifica. Një sakrificë është dhe këndi nga ku po shkruhet ky shënim, me laps e me letër. Ky pozicionim nuk ishte një spontanitet, një produkt rrethanash, aspak. Por, një zgjedhje, një vlerë që u mbajt në mënyrë konsistente, pa hezitim, në 12 vite. Skena publike dhe politike sot është më e pastër prej angazhimit pa kompromis të demokratëve. Me denoncime me emra me fakte, ja dolëm që shumë të inkriminuar dhe banditë të ktheheshin atje ku e kishin vendin. Cila ishte zgjedhja e qeverisë dhe e kryeministrit në këtë rast? Të gjithë e panë së fundmi, listën e deputetëve të Durrësit. Si qe bërë përzierja, si qenë vendosur emrat, dhe kush kishte lobuar për vendet e sigurta. Me firmën e kryetarit të PS, krimi i organizuar ja ka dalë të dërgojë njerëzit në sallën më të lartë kushtetuese, aty ku bëhen ligjet e vendit. Nga kjo pikëpamje, është Opozita, janë demokratët që kanë gjakuar për Europën. Janë qytetarët që kanë dhënë mundin e punën e tyre. Është shoqëria që ka kulturalisht busullën kah perëndimi. Është dhe qeveria që ka ngritur çdo herë pengesa.

Rezultati? Kemi nisur bisedimet, por 12 vite me vonesë. E sot pas 12 vitesh despoti është vlera më antieuropiane që ka Shqipëri. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat