A kërkoi Meta palestër në burg? Blushi flet për akuzat dhe gjendjen e kreut të PL

Shqipëria

A kërkoi Meta palestër në burg? Blushi flet për akuzat dhe gjendjen e kreut të PL

Më: 26 tetor 2024 Në ora: 16:30
Tedi Blushi

Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka dhënë detaje në lidhje me tre akuzat që rëndojnë mbi kreun e PL-së, Ilir Meta. I ftuar në Euronews, Blushi u shpreh se ka komunikim të vazhdueshëm me Metën dhe njoftoi se ky i fundit është në gjendje të mirë shëndetësore.

“Kam komunikuar çdo ditë dhe jam në kontakt të përhershëm. Është në një gjendje të shkëlqyer shëndetësore, kjo ka rëndësi”, tha Blushi.

Lidhur me aludimet se kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka kërkuar pajisje palestre në ambientet e burgimit, Blushi u shpreh se kjo është e pavërtetë.

“Tani të mos e ulim nivelin e debatit me argumente të pavërteta që kërkojnë vëmendje në opinionin publik. Kërkojnë të tërheqin vëmendjen me deklarata të pavërteta,” tha Blushi.

Sa i përket pamjeve të arrestimit të Metës, Blushi e quajti atë një rrëmbim nga grupet kriminale dhe u shpreh se po hetohet në lidhje me personat që morën pjesë përkrah forcave policore.

“E kam denoncuar edhe më herët; është një akt terrorist. E kam denoncuar edhe në deklaratat e mia, që personazhe të lidhur me botën e krimit në Durrës dhe Shkodër. Jemi në proces hetimi për të publikuar edhe fytyrat dhe emrat e këtyre banditëve që morën pjesë. Të gjithë shqiptarët duhet t’i njohin me emër dhe mbiemër, pasi këta guxuan të shkelin ligjin. Jemi ende në proces verifikimi, i cili do të shoqërohet edhe me kallëzim penal, që askush të mos marrë pjesë si palë e policisë. Kemi të bëjmë me një atentat mafioz të grupeve kriminale. Në të tilla aksione, këto grupe të maskuara me uniformën e shtetit ndërhyjnë në aksionet policore, dhe askush nuk është prezantuar si punonjës i policisë. Pamjet janë regjistruar me iPhone, dhe nuk dihet kush i posedon këto pamje; një operacion terrorist i urdhëruar nga Edi Rama dhe Altin Dumani. E quaj rrëmbim, pasi pas 30 minutash askush nuk e dinte vendndodhjen e presidentit të Partisë së Lirisë. Ai është mbajtur në ambientet e policisë pa asnjë akuzë,” tha Blushi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat