Proda: Policia e Shtetit, profesionale, e barabartë dhe e besueshme për partnerët

Shqipëria

Proda: Policia e Shtetit, profesionale, e barabartë dhe e besueshme për partnerët

Më: 26 tetor 2024 Në ora: 17:58
Ilir Proda

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda deklaroi sot se, asistenca e Bashkimit Evropian është shumë e vyer për Policinë e Shtetit.

Në fjalën e tij gjatë takimit të Komitetit të 4-të Drejtues të EU4LEA me aktorët kryesorë të zbatimit të ligjit në Shqipëri, Proda tha se një ndër gjërat që i ka rënë më shpejt në sy, që kur ka marrë detyrën, është prekja, shtrirja dhe impakti i frymës dhe partnerëve europianë, në të gjitha hallkat e Policisë së Shtetit. “Që nga nismat ligjore dhe puna policore, deri te manuali i etikës dhe policimi në komunitet, kudo perceptohen standardet europiane”, theksoi ai.

Absolutisht, shtoi ai, “kjo nuk është arritur menjëherë, por falë këmbënguljes së dyanshme, punës me përkushtim, si dhe falë profesionalizmit dhe besimit të shkëmbyer në mënyrë konstante ndërmjet Policisë së Shtetit dhe partnerëve europianë”.

Në këtë aspekt, theksoi Proda, “gur kilometrik ka shënuar kontributi i projektit EU4LEA. Rezultatet e këtij projekti janë shumëdimensionale dhe me shumë vlerë për Policinë e Shtetit. Ato kanë ndikuar në progresin e kapaciteteve hetimore, njerëzore dhe logjistike të Policisë së Shtetit, si dhe në përmirësimin e imazhit të punonjësit të Policisë, te qytetarët”.

Ai u shpreh se, asistenca dhe ekspertiza e projektit EU4LEA kanë ndikuar në shumë aspekte të punës policore.

Konkretisht, theksoi ai, “në hartimin e ligjit të ri për Policinë e Shtetit, në rritjen e kapaciteteve hetimore kundër terrorizmit, krimit të organizuar, korrupsionit, krimeve të tjera financiare dhe krimeve kundër mjedisit, në rritjen e kapaciteteve hetimore dhe operacionale për gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve të krimit, në progresin e strategjisë për menaxhimin e kufijve, duke luftuar migracionin e kundërligjshëm dhe duke përmirësuar mekanizmat për kthimin e emigrantëve, është fokusuar te zbatimi i të drejtave të njeriut që nga fazat e para të ndjekjes penale deri në përfundim të ekzekutimit të dënimit, në kurset e vazhdueshme për ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore, si dhe te trajnimet jashtë vendit me qëllim shkëmbimin e praktikave më të mira, në përmirësimin e kapaciteteve parandaluese, nëpërmjet policimit në komunitet, përmes trajtimit të punonjësve të Policisë për të ndërvepruar me qytetarët, në standardizimin e politikave të rekrutimit në Policinë e Shtetit, në prezantimin e platformave për menaxhimin e shpejtë dhe efikas të të dhënave, në mbështetje teknike për hartimin dhe implementimin e Analizës Strategjike Kriminale, në promovimin e transparencës financiare, përsa i përket donacioneve dhe sponsorizimeve”.

Proda nënvizoi se, kontributi nga projekti EU4LEA, është shumë i vyer për Policinë e Shtetit.

“Ky kontribut i bashkohet kontributeve të tjera të dhëna nga partnerë të tjerë të Policisë së Shtetit, të cilat kanë lënë gjurmë pozitive dhe të cilat i shërbejnë përmirësimit të rendit dhe sigurisë, luftës kundër krimit dhe rritjes së performancës së punonjësve të Policisë”, tha ai.

Ai shtoi se, të gjithë këta tregues sjellin rritje të besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit.

“Vërtet është bërë shumë qoftë nga Policia e Shtetit ashtu dhe nga partnerët dhe misionet ndërkombëtare që asistojnë punën e Policisë, por si gjithnjë kur bëhet shumë, më shumë na kërkohet të bëjmë, sepse përsa j përket sigurisë dhe përmirësimit të performancës, asnjëherë nuk është mjaftueshëm”, theksoi Proda.

Tashmë, shtoi ai, “objektivi ynë nuk është vetëm të ruajmë njohuritë e përfituara dhe rezultatet e arrira, por dhe t’i çojmë ato më tej, nëpërmjet vënies në praktikë të njohurive dhe eksperiencave të reja. Koha evoluon përpara drejt sfidave të panjohura, të cilat kërkojnë përmirësim dhe aplikim të metodave bashkëkohore”.

“Është e qartë se Policia e Shtetit, falë ndihmës së pakursyer dhe të gjithanshme të partnerëve të saj, e ka bërë pjesën kyçe dhe më të vështirë të rrugës së modernizimit dhe europianizimit të saj. Tashmë Policia e Shtetit është profesionale, e barabartë dhe e besueshme për policitë partnere”, u shpreh Proda.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit siguroi se është i vendosur për të çuar më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit dhe projektet e nisura më parë, si dhe për të luftuar bashkërisht korrupsionin, krimin e organizuar, trafiqet dhe terrorizmin.

“Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht në parandalimin dhe goditjen e krimit dhe po aq e vendosur për të respektuar dhe mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve dhe të medias e cila është aseti i komunikimit të Policisë me qytetarët”, theksoi ai.

Proda, shprehu mirënjohje për përfaqësuesit e projektit EU4LEA, dhe për të gjithë përkrahësit e Policisë së Shtetit që kontribuojnë në logjistikë, trajnime dhe asistencë, të cilat, theksoi ai, “çojnë në profesionalizëm, për të arritur rezultate gjithnjë e më pozitive në interes të qytetarëve të vendeve tona”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat