Skema e pensioneve/ Përgjysmohet barra buxhetore për financimin e deficitit

Shqipëria

Skema e pensioneve/ Përgjysmohet barra buxhetore për financimin e deficitit

Më: 28 tetor 2024 Në ora: 08:17
Foto ilustrim

Shpenzimet buxhetore për financimin e skemës publike të pensioneve, shënuan në 9 mujorin 2024 nivelin më të ulët së paku që nga viti 2012, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.

Skema publike paguan për pensionet me shumë se sa arkëton nga pagesat e sigurimeve shoqërore prej punonjësve aktualë. Diferenca është deficit që mbulohet nga buxheti, dmth nga taksat dhe tatimet e tjera që paguajnë qytetarët dhe bizneset.

Kjo diferencë në vend që të zgjerohet prej rritjes gjithnjë e më shumë të numrit të pensionistëve nga plakja e popullsisë, po vjen në ulje.

Në fund të 9 mujorit 2024 deficiti i skemës së pensioneve shënoi një vlerë prej 29,1 miliardë lekësh, më e ulëta së paku që nga viti 2012, (shiko grafikun e mëposhtëm).

Qeveria po shpenzon më pak para për financimin e skemës së pensioneve, në një kohë që të ardhurat buxhetore në vlerë janë rritur me ritme dyshifore vitet e fundit.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, që nga viti 2014 deri më 2024, të ardhurat buxhetore u rriten me 98 për qind, ndërsa deficiti i skemës së pensioneve në të njëjtën periudhë u ul me 10%. Kjo do të thotë, se pesha e shpenzimeve për pensionet që përballohen nga buxheti i shtetit, është shumë më e ulët se 10 vite më parë.

P.sh në vitin 2014, buxheti grumbullonte gjithsej 266,7 miliardë lekë të ardhura dhe 12.2 për qind të tyre, i çonte për financimin e deficitit të skemës së pensioneve, ndërsa në 9 mujorin 2024 qeveria çoi për financimin e deficitit të skemës vetëm 5.5% të të ardhurave.

Kjo situatë është në favor të qeverisë, por në disfavor të pensionistëve, erdhi kryesisht për dy arsye kryesore. E para të ardhurat nga kontributet e sigurimeve janë përmirësuar, për shkak të rritjes së pagave si në sektorin privat dhe atë publik me një ritëm më të shpejtë pas pandemisë Covid-19. Rritja e pagës minimale me rreth 30 për qind në harkun e një viti që nisi në vitin 2022, ndikoi pozitivisht të ardhurat nga kontributet.

Nga ana tjetër, shpenzimet për pagesat e pensioneve nuk u rritën sipas parashikimeve. Pensionistët që dolën në pension vitet e fundit nuk plotësojnë kriterët për pagesa të plota.

Për rrjedhojë, shumica e pensionistëve përfitojnë pension social ose të pjesshëm. Humbja e dokumentacionit për vitet e punës dhe puna në të zezë në 30 vitet e fundit, kanë bërë që pjesa më e madhe e atyre që dalin në pension aktualisht të mos përmbushin kriterin për vitet e punës që është rreth 39 vite me sigurime për të përfituar pension të plotë.

Nga njëra anë, ka rritje të shpenzimeve më pak se parashikimet dhe nga ana tjetër rritja e arkëtimeve nga kontributet më shumë se pritshmëritë e ka zvogëluar barrën e buxhetit për pensionet. Në fillim të këtij viti, qeveria mori mbrapsht mbi 7 miliardë lekë nga kursimi i deficitit të skemës dhe i çoi ato për investime në infrastrukturë, nëpërmjet një akti normativ për ndryshimin e buxhetit 2024.

Ndërkohë,shumica e pensionistëve shqiptarë marrin pagesa mujore poshtë nivelit relativ të varfërisë 6.7 USD në ditë të përcaktuar nga Banka Botërore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat