Një 39-vjeçar është vënë në pranga pasi kishte kontrabanduar nga Greqia, 1637 kuti me ilaçe, për t’i shitur në farmacinë që administronte si biznes familjar.
Procedohet penalisht dhe babai i saj, pasi në banesë iu gjetën kutitë me ilaçe dhe 83 steka me paketa me cigare, gjithashtu pa pullë fiskale.
Sekuestrohen mallrat. Si rezultat i administrimit të shpejtë të inteligjencës policore, se në një farmaci në Bilisht, shiteshin medikamente të kontrabanduara nga Greqia, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare finalizoi operacionin policor të koduar “Relations”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi B. M., 39 vjeç, si dhe u proceduan në gjendje të lirë bashkëshortja dhe vjehërri i tij, shtetasit R. Z., 36 vjeçe dhe N. Z., 64 vjeç, të tre banues në Bilisht.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se shtetasi B. M. kontrabandonte ilaçe nga Greqia, për t’i shitur në biznesin e familjes, farmacinë ku punonte bashkëshortja e tij. Nga kontrollet në banesën e shtetasit N. Z., përveç 1637 kutive me ilaçe, pa pullë fiskale, u gjetën dhe 83 steka me paketa me cigare, të cilat dyshohet se janë të kontrabanduara, sepse dhe ato nuk ishin të pajisura me pullë fiskale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.