Hasani: Të përshpejtojmë axhendën e reformave që të afrojmë anëtarësimin në BE

Shqipëria

Hasani: Të përshpejtojmë axhendën e reformave që të afrojmë anëtarësimin në BE

Më: 29 tetor 2024 Në ora: 12:38
Igli Hasani

Shqipëria synon që të anëtarësohet në BE më herët se vitin 2030, deklaroi ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani gjatë intervistës për emisionin “Programi 200”, në televizionin “Alsat” në Maqedoninë e Veriut.

Hasani tha se, “jo vetëm që 2030 është reale” por do të përshpejtohen reformat “që kjo datë të afrohet”.

“Shqipëria ka një plan pune të përcaktuar me Komisionin Evropian me mënyrën se si do të hapen grup-kapitujt, kur do të mbyllen dhe si do të vazhdojë puna që është i detajuar dhe është i qartë dhe jemi të dakordësuar në të gjitha aspektet. Unë këtë plan e shoh të realizueshëm në 3-4 vitet e ardhshme. Pastaj vjen dhe njëherë negociata politike që ne duhet të bindim politikisht parlamentet e vendeve anëtare të BE-së që jemi gati dhe kjo do 1 vit e gjysmë, 2 vjet. Prandaj 2030-a jo vetëm është reale, jo vetëm është aty, por ne na bën gjithnjë e më shumë optimistë që thjesht duhet të përshpejtojmë axhendën e reformave të cilat kemi marrë përsipër në mënyrë që kjo datë edhe të afrohet”, tha Hasani.

Ai gjithashtu theksoi se, momenti pozitiv për Shqipërinë duhet parë me pozitivitet nga gjithë rajoni duke thënë gjithashtu se “nuk ka pasur një çift që është ndarë dhe divorcuar me letra”, sa i përket shkëputjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në rrugën e integrimeve.

Fjala “ndarje” apo “bashkim” ka qenë më shumë kombinim politik, sesa një realitet. Të dy vendet kanë pasur dhe kanë një rrugëtim të caktuar teknik, për sa i përket marrëdhënies me Komisionin Evropian dhe Bashkimin Evropian. Çdo vend kandidat ka rrugën e vetë, dhe Shqipëria javën e kaluar më së fundi hapi grup-kapitullin e parë të negociatave me BE-në”, tha Hasani.

BE-ja, që për ne është familja natyrale, është logjika e gjithë përpjekjeve të shqiptarëve jo vetëm në Republikën e Shqipërisë, por kudo ku ata janë”, theksoi Hasani.

Fakti që ne tashmë kemi një rrugë të mirëpërcaktuar. Kemi një plan pune të detajuar, për sa i përket gjithë angazhimit teknik që do të kemi me Komisionin Evropian, është jo vetëm një sukses i madh, por diçka që ne e prinim prej kohësh dhe shpresoj shumë që çdo vend i Ballkanit Perëndimor, çdo fqinj i joni, çdo shoqëri e angazhuar për t’u bërë pjesë e BE-së, këtë që ne e hapëm javën e kaluar, apo të tjerët e kanë hapur kohë më parë ta kenë sa më shpejt. Ta hapin sa më shpjet, të angazhohen sa më shpejt dhe ne, të gjithë së bashku, të jemi sa më shpejt anëtarë të asaj familjeje për të cilën po aspirojmë, familjes euroatlantike dhe në mënyrë të veçantë pjesë logjike dhe reale e BE-së”, tha Hasani.

Pavarësisht kësaj, Hasani nënvizoi se për Shqipërinë është me shumë rëndësi që Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnja të përparojnë në rrugën e integrimeve.

“Për ne është shumë e rëndësishme që Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnja të përparojnë sa më shpejt dhe në mënyrë të integruar dhe përshpejtuar drejt angazhimit që kanë në raport me BE-në. Duke nisur nga Maqedonia e Veriut, që është dhe vendi që për fat të keq ndoshta ka pësuar dhe zhgënjime më të mëdha. Ne duhet të gjithë së bashku të punojmë për të mirën e përbashkët. Frazat janë tepër shabllon, por një Shqipëri, e cila ecën përpara drejt BE, e pashoqëruar nga vendet e tjera, nuk do t’ia arrinte e vetme qëllimit, ashtu siç edhe vendet e tjera të Ballkanit perëndimor të vetme nuk do t’i arrinin qëllimit kryesor pa një Shqipëri kaq konstruktive dhe kaq të konsoliduar sa kjo që ne kemi”, tha Hasani.

“Kjo është arsyeja që është e rëndësishme që çështjet dypalëshe në momente të caktuara duhet të diskutohen brenda familjes evropiane”, shtoi ai.

Sa i përket arrestimit të Ilir Metës dhe zyrtarëve të lartë edhe pranë qeverisë, ai tha se “Reforma në Drejtësi është angazhimi më i madh që ka pasur shteti shqiptar, që nga Pavarësia në vitin 1912”.

“Reforma në Drejtësi që Republika e Shqipërisë ka bërë është jo vetëm një reformë historike, për sa i përket të gjithë periudhës së pavarësisë së shtetit shqiptar. Për herë të parë ne kalojmë në një dimension komplet tjetër të angazhimit të njerëzve që punojnë në drejtësi me qeverinë dhe me qytetarët, por dhe lufta që po i bëjmë korrupsionit”, tha Hasani.

Kryediplomati shqiptar theksoi se, Reforma në Drejtësi është angazhimi më i madh që ka pasur shteti shqiptar, qeveria shqiptare, shoqëria shqiptare që nga Pavarësia në 1912-ën.

“Nga një shoqëri që vinte duke qenë pjesë e një perandorie të madhe, mes periudhave të shumta jo të qarta, të turbullta pushtimi, diktature me radhë, në vitet e tranzicionit trupa e gjyqtarëve, prokurorëve, por edhe e administratës, ishte një trupë e cila vazhdonte të përfitonte në mënyrë të padrejtë të mira nga qytetarët”, tha Hasani.

“Fakti që kjo reformë në drejtësi bëri të mundur, krijimin dhe konfigurimin e një klase të re në gjyqësor dhe në prokurori ka ndryshuar totalisht balancat e perceptimit se ҫfarë mendojnë qytetarët për të. Kjo nuk do të thotë që gjithçka është e bukur dhe me lule, kjo do të thotë që përpjekja vazhdon”, theksoi Hasani.

Ai nënvizoi se, reforma e radhës do të jetë për luftën kundër korrupsionit.

Ky është fakti që reforma e radhës do të jetë për luftën kundër korrupsionit, që do të jetë një angazhim shumë i madh. Ka filluar të ketë një mekanizëm të ngritur në Kuvendin e Shqipërisë, i cili do të dalë me konkluzionet e duhura dhe do të bëjë të mundur që të gjithë elementet që kanë të bëjnë me qeverinë, shoqërinë civile, sektorin privat e me radhë, të jenë jo vetëm të angazhuar, por edhe të saktësuar në mënyrat se si do të jenë frytet e reja të mekanizmit”, tha Hasani.

Ministri Hasani u shpreh se, “ҫfarë ka ndodhur me Shqipërinë sa i përket bërjes së reformave pati ngjyrime dhe elementë të ngjashëm me rrugëtimin që pati Kroacia për t’u bërë pjesë e BE, me rrugëtimin që pati Rumania për t’u bërë pjesë e BE. Këtu është më e qartë, më e fortë, më konkrete, më prezente dhe unë shpresoj që dhe vendet e tjera kandidate të ndjekin rrugën e Shqipërisë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat