Pasditen e kësaj të marte, opozita do të zhvillojë një protestë, ku është paralajmëruar bllokimi i disa akseve rrugore në vend.
Lidhur me këtë ka folur në “News Line”, avokati Arbër Hoxha, i cili ka thënë se bllokimi i rrugëve është një vepër penale që dënohet.
Sipas avokatit, e drejta për të protestuar buron nga Kushtetuta, por duhen ndjekur disa rregulla.
Ai ka theksuar se mosbindja civile është e paligjishme dhe mund të dënohet, ndërsa protesta jo.
“Është një vepër që ka të bëjë me bllokimin e rrugëve, prishjen e qetësisë publike dhe duhet thënë që në rastin konkret gërshetohen dy ligje, ligji i vitit 2000 për tubimet publike si dhe kodi penal.
Megjithatë e drejta për të tubuar dhe për tu organizuar, është një e drejtë kushtetuese dhe që parashikon kushtetuta, por patjetër duhet bërë në zbatim të Kushtetutës së republikës së Shqipërisë.
Veprat të tilla kur shoqërohen me pasoja të rënda mund të shoqërohen me 1 deri në 3 vite burg, më pas kur pasojat janë të rënda, për shembull në rrugë kalon një ambulancë dhe bllokohet, edhe në të vdes një qytetar dhe pasojat janë të rënda mund të dënohet deri në 5 vite burg.
Mosbindja civile si një nga format e protestës është një nga më të rëndat dhe organizatorët dënohen sipas ligjit, sepse ndryshe është protesta dhe ndryshe është mosbindja civile, një protestë duhet ti njoftohet shefit të komisariatit, numri i protestuesve dhe vendi ku do të zhvillohet. Ndërkohë që këto bllokimet patjetër që janë të paligjshme dhe mund të dënohen deri në 5 vite.
E drejta për të protestuar patjetër që parashikohet. Protesta, tubimi dhe mosbindja civile apo bllokimi I rrugëve janë dy nocione të ndryshme. Që do të thotë qoftë zoti Bardhi apo organizatorë të tjerë, zgjedhin vendin ku do të protestojnë, njoftojnë policinë 5 ditë nga dita që do të mbahet protesta, emrat që do të drejtojnë protestën dhe emrat e mbarvajtësëve. Në këto kushte mosbindja civile është e lejueshme”, u shpreh Hoxha.