Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka vendosur në sekuestro një apartament në Vlorë, në pronësi të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqajt. Apartamenti ndodhet në Lungomare dhe ka një sipërfaqe prej 90 metra katror.
Sipas Gjykatës, kjo pasuri apo shpenzimet/investimet e kryera për mobilimin e saj nuk rezultojnë të jenë deklaruar sipas legjislacionit në fuqi nga ish-ministri Ilir Beqaj apo personat e lidhur me të.
“Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, mbi pasurinë e paluajtshme (apartament), me sipërfaqe 90.8 m2, sipërfaqe verande 61.2m2 dhe sipërfaqe të përbashkëta 13.7m2, me vendodhje në Lungomare, Vlorë, si pasuri e lidhur me personin nën hetim Ilir Beqaj”, thuhet në vendim.
Sakaq, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në bashkëpunim me oficerë të policisë gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë kryer ekzekutimin e vendimit të Gjykatës.
Veprimet që kanë bindur gjykatën
Sipas hetimeve, në vitin 2016, me kontratën e porosisë lidhur mes shoqërisë ndërtuese R…K… shpk dhe shtetasit I.F është prenotuar apartamenti në vlerën 6,700,000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekë.
Në vitin 2017 ka nisur investimi dhe mobilimi i apartamentit nga ana e personit nën hetim Ilir Beqaj dhe bashkëshortes së tij, proces i cili ka zgjatur deri në fillim të vitit 2019.
Sipas aktit të ekspertimit vlerësues, vlera totale e investuar shkon deri në 5,064,700 (pesë milionë e gjashtëdhjetë e katër mijë e shtatëqind) lekë.
Në shkurt të vitit 2020 është lidhur kontrata e qerasë mes shtetasit I.F (lidhje e ngushtë shoqërore e Ilir Beqajt) dhe A.B (bashkëshortja e Ilir Beqajt). Pavarësisht këtij fakti ka rezultuar se personi nën hetim Ilir Beqaj dhe familjarët e tij e kanë poseduar lirisht pronën dhe janë sjellë si pronarë të sendit të paluajtshëm deri në fillim të vitit 2019.
Të gjitha këto fakte në tërësinë e tyre vërtetojnë ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm mbi fiktivitetin e veprimit juridik, me qëllim fshehjen e origjinës së pronës.
Aktualisht Ilir Beqaj ndodhet në burg. Ai u ndalua më 4 korrik me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, SPAK për veprat penale të korrupsionit, shkelje të barazisë në tenderë dhe fshehje apo mosdeklarim të pasurisë apo interesave private – akuza që lidhen me disa procedura prokurimi të kryera nga Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), të cilën ai e drejtoi që nga themelimi.