Përfundon protesta e opozitës. U shtri në disa qytete dhe zgjati 3 orë

Shqipëria

Përfundon protesta e opozitës. U shtri në disa qytete dhe zgjati 3 orë

Më: 29 tetor 2024 Në ora: 17:05 Përditësuar në ora: 21:34 më 29.10.2024
Foto nga vendi i ngjarjes

Përfundon protesta e opozitës. U shtri në disa qytete dhe zgjati 3 orë

Tiranë – Protesta në Kthesën e Kamzës u mbyll pas 3 orësh në Tiranë. Për disa minuta pati një përplasje mes protestuesve dhe policisë. Megjithatë bllokimi i rrugëve u mbyll qetë pa incidente të tjera të mëdha. “Mosbindja civile ka nisur të japë frytet e veta, do i sjellë zgjidhje Shqipërisë e shqiptarëve. Qeveria teknike është e vetmja zgjidhje!”, tha Flamur Noka në mbyllje.

Elbasan – Protesta e opozitës që zgjati më shumë se 2 orë përfundoi para orës 20:00. Tashmë vijon qarkullimi normal i mjeteve. Shumica e protestuesve tashmë janë larguar.

Shkozet – Aty nuk u raportuan incidente dhe bllokimi i rrugëve u mbyll në orën 20:00 siç ishte paralajmëruar. “Mirupafshim në aksionin e radhës”, tha Edi Paloka sipas të cilit bllokada i arriti pritshmëritë. “Qëllimi që kishim sigurisht ia arritëm. Rruga u bllokua, ky ishte qëllimi sot”, tha Paloka.

Levan – Edhe protesta në jug të vendit, në rrethrrotullimin e Levanit mbaroi siç ishte parashikuar në orën 20:00. “Morëm falënderime të qytetarëve të shumtë që ndaluan në rrugë dhe nuk u bllokuan. Iu bashkuan qëndrestarëve në këtë rrethrrotullim. Ndjesë ndonjërit që është bllokuar në rrugë. I falenderojmë dhe kjo mosbindje civile e PD, e popullit do të vazhdojë dhe përshkallëzohet në vijim”, tha Luan Baçi.

Milot – Edhe në fushë Milot protesta u mbyll pa incidente. “Shpreh gatishmërinë, bindjen, bëj deklaratën që kjo mosbindje do vazhdojë. Do ketë të tjera deri arritjen e aktit final të mosbindjes civile, qeveri teknike dhe dhënie liri të liderit të opozitës, dhënies fund të inkuizicionit të liderëve të opozitës në Shqipëri”, tha Luçiano Boçi.

Rrogozhinë – Edhe protesta në rrethrrotullimin e Rrogozhinës u mbyll pa incidente. Tashmë vijon qarkullimi normal i makinave.

Deputetja e PL-së nga protesta: Meta s’u arrestua – u mor peng, vuan një burg politik

Ashtu edhe siç ishte lajmëruar, protesta opozitare në Shqipëri ka nisur në orën 17:00, ku u bë bllokimi i akseve kryesore të vendit nga Veriu në Jug.

Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho, tha se çdo protestë është e suksesshme, dhe se shërben për një demokraci më të shëndoshë, pasi sipas saj nuk kemi të bëjmë vetëm me një keqqeverisje, kemi të bëjmë me një regjim.

“Sot qytetarët kanë arsye për të protestuar për çmimet e larta, për pagat e ulta, për fëmijët që kanë ikur në emigracion, për naftën që e kanë më të shtrenjtë se Singapori, për sistemin arsimor që e kanë të dështuar, për sistemin shëndetësor, për largimin e 1 milion shqiptarëve… Pa harruar rastin më të rëndë, atë të Çyrbes, që tregoi se nga kush drejtohen zgjedhjet në Shqipëri, ku bandat dhe krimi i organizuar përcaktojnë renditjen. Ai model është modeli i gjithë Shqipërisë”, deklaroi ajo për A2 CNN.

Kur u pyet nëse Partia e Lirisë proteston për arsyet e mësipërme apo edhe për arrestimin e Ilir Metës, Xhixho u përgjigj: “Ai nuk ishte arrestim, por pengmarrje. Sot, Presidenti i Partisë së Lirisë vuan një burg politik. Rama përdor drejtësinë si armë ndaj kundërshtarëve politikë. Kur arrestohesh nga policë me maska dhe merresh zvarrë, ai është mesazh që kur këtë ia bëjmë Metës, ia bëjmë kujtdo”.

“Bllokimi i rrugëve është një formë që ka zgjedhur Partia Demokratike dhe ne i jemi bashkuar. Po përdorim çdo mjet demokratik dhe po kërkojmë zgjedhje të lira e të ndershme, që mos të vendosin bandat dhe paratë e pista”, theksoi më tej deputetja e Partisë së Lirisë.

Protesta në kryeqytet, Vokshi dhe Noka përplasen me Policinë

Deputetja Albana Vokshi dhe deputeti Flamur Noka janë përplasur me policët, teksa protesta në rrethrrotullimin e ish-sheshit “Shqiponja” është tensionuar.

Qytetari shkon me makinë të çajë kordonin e protestuesve, ndërhyn policia

Bllokimi i 6 akseve kryesore të vendit nga opozita mbrëmjen e kësaj të marte ka qenë përgjithësisht i qetë dhe pa përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Megjithatë një incident është regjistruar në rrethrrotullimin e Levanit, ku një qytetar ka tentuar që me automjetin e tij të çajë kordonin e protestuesve, të cilët kishin bllokuar aksin rrugor që lidh Levanin me Vlorën dhe Tepelenën.

Policia reagoi menjëherë ndaj këtij incidenti, duke ndërhyrë për të larguar automjetin dhe duke shmangur përshkallëzimin e situatës.

Shoferët e bllokuar në akset kryesore të vendit janë treguar relativisht të qetë dhe po presin me qetësi mbylljen e protestës.

Kujtojmë se mbështetësit e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, janë pozicionuar në 6 akse kryesore të vendit duke paralizuar qarkullimin e automjeteve. Aktivitetet do të zhvillohen nga ora 17:00 deri në orën 20:00 në autosradën “Tiranë–Durrës” pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës–Tiranë” pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot” pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan–Tiranë” te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier” te rrethrrotullimi i Rrogozhinës; dhe “Levan–Tepelenë” te rrethrrotullimi i Levanit.

Pamje me dron/ Bllokohet ish-sheshi Shqiponja, ja sa protestues marrin pjesë, ç’po ndodh në një orë protestë

Pamjet me dron tregojnë në Tiranë numrin e protestuesve që marrin pjesë në këtë tubim të organizuar nga opozita.

Bllokohet rrethrrotullimi i Shkozetit/ Goma dhe flakë, vijon “normaliteti” i PD

PD vijon me skenarin e djegies së gomave. Gazetari Leonidha Musaj raporton se në mbikalimin e Shkozetit, teksa protestuesit e paktë në numër kanë bllokuar rrugën, ata kanë djegur edhe disa goma.

“E njëjta strategji si në protestat e tjera duke djegur gomat ndërkohë që ndezin fishekzjarre që të ketë më tepër emocione për protestuesit.

Janë të paktë protestuesit, rreth 250 persona mund të jenë të pranishëm në këtë tubim pranë mbikalimit të Shkozetit.

Protestuesit janë të qetë, nën kontroll për momentin” , tha ai.

Protesta në rrethrrotullimin e Levanit, mjetet devijojnë qarkullimin në rrugët dytësore

Në rrethrrotullimin e Levanit, rruga është e bllokuar në disa drejtime nga protestuesit, por vetëm disa automjete kanë mbetur të bllokuara.

Prej më shumë se 30 minutash, asnjë automjet nuk ka ardhur në drejtim të rrethrrotullimit të Levanit.

Kjo tregon se policia po orienton qarkullimin nëpër rrugët dytësore, duke mundësuar daljen në Fier dhe autostradën Levan-Fier. Deri tani, situata mbetet e qetë në Levan.

Tubimi në këtë rrethrrotullim, kryesohet nga deputetët e qarqeve Fier, Vlorë, Berat dhe Gjirokastër: Luan Baçi, Bujar Leskaj, Tritan Shehu dhe Kasem Mahmutaj.

Mosbindja civile e opozitës/ Flamur Noka “parkon” makinën e tij në mes të rrugës

Ish-sheshi Shqiponja

Deputetët që do të jenë në këtë pikë janë Flamur Noka, Albana Vokshi, Xhelal Mziu, Petrit Doda, Asllan Dogjani, Helidon Bushati, Kreshnik Çollaku, Dhurata Çupi dhe aleatët të cilët do të jenë bashkë me qytetarët.

Pika e dytë do të jetë

Rrethrrotullimi Milot

Janë deputetët e qarkut Kukës, Shkodër dhe Lezhë, përkatësisht deputetët Flamur Hoxha, Isuf Çela, Emilja Koliqi, Ramadan Lika, Greda Bardeli, Ludovik Hasanaj, Lindita Metaliaj, Elda Hoti, Kastriot Piroli.

Rrethrrotullimi Shkozet

Janë degët e qarkut Durrës, Fushë-Kruja, Kruja, Shijaku.

Rrethrrotullimi e Bradasheshit

Janë degët e qarkut Korçë, Elbasan me deputetët Lefter Gështenja, Qani Xhafa, Edmond Spaho, Sorina Koti, Tomor Alizoti.

Rrethrrotullimin e Rrogozhinës

Degët Kavajë, Lushnjë, Rrogozhinë dhe Divjakë me Ilda Dhori, Dashnor Sula, Bledjon Nallbati;

Rrethrrotullimi Levan

Degët e Fierit, Gjirokastrës, Vlorë, Berat, Luan Baçi, Kasem Mahmutaj, Tritan Shehu, Bujar Leskaj”, raportoi gazetari Stafa.

Ndersa deputetët e tjerë Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj, Oerd Bylykbashi, Jorida Tabaku Ina Zhupa, Zheni Gjergji dhe Saimir Korreshi do t’i bashkohen tubimit te sheshi Shqiponja në orën 18:00, pas përfundimit të takimit të MSA-së.

---

Fluksi më madh i automjeteve është pranë ish-sheshit “Shqiponja” e cila është planifikuar të jetë pika e përqendrimit të protestuesve. Siç raporton gazetari Besart Bajraktaraj, aktualisht është bllokuar autostrada Tiranë-Durrës. Gazetari tregoi disa nga rrugët që mund të aksesohen nga qytetarët.

Këmbëkryq edhe në Milot, bllokohet rruga Lezhë-Tiranë

Njerëz këmbëkryq në Milot. Ka nisur bllokada e rrugëve edhe në Milot. Prej disa minutash protestuesit kanë bllokuar rrugën Lezhë-Tiranë. Automjetet janë fikur në rrugë ndërsa qytetarët kanë dalë në rrugë për të mos lejuar lëvizjen.

“Deri tani ka heshtje, nuk ka reagim as nga instancat e policisë. Ka thirrje kundër Ramës. Duhet thënë që protestuesit janë të shpërndarë në disa pika. Përveç zonës së Fushë Kurbinit ka disa pika të ndryshme ku protestuesit janë shpërndarë dhe kanë krijuar kaos në lëvizjen e automjeteve”, raportoi gazetari Martin Marku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat