Ashtu edhe siç ishte lajmëruar, protesta opozitare në Shqipëri ka nisur në orën 17:00, ku u bë bllokimi i akseve kryesore të vendit nga Veriu në Jug.
Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho, tha se çdo protestë është e suksesshme, dhe se shërben për një demokraci më të shëndoshë, pasi sipas saj nuk kemi të bëjmë vetëm me një keqqeverisje, kemi të bëjmë me një regjim.
“Sot qytetarët kanë arsye për të protestuar për çmimet e larta, për pagat e ulta, për fëmijët që kanë ikur në emigracion, për naftën që e kanë më të shtrenjtë se Singapori, për sistemin arsimor që e kanë të dështuar, për sistemin shëndetësor, për largimin e 1 milion shqiptarëve… Pa harruar rastin më të rëndë, atë të Çyrbes, që tregoi se nga kush drejtohen zgjedhjet në Shqipëri, ku bandat dhe krimi i organizuar përcaktojnë renditjen. Ai model është modeli i gjithë Shqipërisë”, deklaroi ajo për A2 CNN.
Kur u pyet nëse Partia e Lirisë proteston për arsyet e mësipërme apo edhe për arrestimin e Ilir Metës, Xhixho u përgjigj: “Ai nuk ishte arrestim, por pengmarrje. Sot, Presidenti i Partisë së Lirisë vuan një burg politik. Rama përdor drejtësinë si armë ndaj kundërshtarëve politikë. Kur arrestohesh nga policë me maska dhe merresh zvarrë, ai është mesazh që kur këtë ia bëjmë Metës, ia bëjmë kujtdo”.
“Bllokimi i rrugëve është një formë që ka zgjedhur Partia Demokratike dhe ne i jemi bashkuar. Po përdorim çdo mjet demokratik dhe po kërkojmë zgjedhje të lira e të ndershme, që mos të vendosin bandat dhe paratë e pista”, theksoi më tej deputetja e Partisë së Lirisë.