Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane dhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në fjalimin e saj në Komisionin e Përbashkët të Stabilizim Asociimit theksoi mungesën e vullnetit politik të qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe lidhjet e thella mes pushtetit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. Ajo kritikoi ashpër triumfalizmin e qeverisë për procesin e integrimit europian, duke e cilësuar si një mungesë arritjesh reale për 12 vite.
Tabaku deklaroi se “ Raport pas raporti, tregues pas treguesi, korrupsioni është kthyer në gangrenën kryesore të vendit, arsyeja përse shqiptarët nuk kanë besim në sistemin politik dhe arsyeja pse 40% e forcës aktive të punës janë larguar nga vendi ”. Ajo vuri në dukje se korrupsioni sistemik ka arritur nivele alarmante dhe ka kapur gjithçka, nga institucionet publike deri tek procesi legjislativ, duke e kthyer Shqipërinë në një shtet të kapur nga interesat e ngushta të pak individëve.
“ Korrupsioni i lartë dhe lidhja me krimin e organizuar janë pengesat kryesore në procesin e integrimit. Me keqardhje mund t’ju them se kjo është përkeqësuar ndër vite, sepse korrupsioni është ngritur në sistem dhe thirrjet e vazhdueshme të opozitës për ta shpallur luftën ndaj tij si një prioritet kombëtar nuk janë dëgjuar ”, deklaroi Tabaku.
Tabaku nënvizoi se pastrimi i parave në Shqipëri është një problem madhor që ka arritur nivele të papranueshme. “ Rreth 2.16% e PBB-së së vendit përbëhet nga para të pista që futen në ekonominë shqiptare. Ky është një realitet i hidhur, ku numërohen mbi 859 mijë transaksione korruptive të lidhura me pastrimin e parave. Këto janë shifra alarmante që tregojnë mungesën e plotë të vullnetit për të luftuar fenomenin nga ana e qeverisë. ”
Deputetja e PD gjithashtu kritikoi në mënyrë të ashpër qeverinë për keqmenaxhimin e fondeve publike dhe favorizimin e sektorëve të caktuar me ligje të posaçme, duke përmendur projektet problematike si aeroporti i Vlorës, porti i Durrësit dhe Teatri Kombëtar, të cilat, sipas saj, shkelin rregullat e konkurrencës dhe MSA-në. “ Janë dhjetëra milionë euro që humbasin për shkak të korrupsionit dhe kontratave të manipuluara në interes të individëve të lidhur me pushtetin. Ky është një krim kundër qytetarëve shqiptarë, të cilët vuajnë çdo ditë pasojat e këtyre vendimeve. ”
“ Korrupsioni nuk luftohet vetëm për të kënaqur standardet e BE-së, por mbi të gjitha për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë. Ne nuk kemi luksin të humbasim më shumë kohë. Koha për të vepruar është tani ”, përfundoi Tabaku, duke i bërë thirrje qeverisë dhe komunitetit nderkombëtar për një luftë të sinqertë dhe pa kompromis ndaj korrupsionit dhe kapjes së shtetit.
Në fund Tabaku shtroi pyetjen ” BIe dakord që Shqipëria është Europë. Por, detyra jonë është ta kthejmë në një demokraci perëndimore ”