Policia e Shkodrës ka intensifikuar luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike në veri të vendit. Zonat e thella të Malësisë së Madhe, Dukagjini dhe Shala kanë qenë gjithmonë një vatër e nxehtë për uniformat blu.
Aksione të shumta dhe të shpeshta ka patur vitet e fundit në këtë drejtim. Bimët e mbjella janë kapur dhe asgjësuar me mijëra, por pronarët e vërtetë të këtyre parcelave nuk gjenden thuajse asnjëherë.
Zonat e thella malore, vështirësitë për të shkuar drejt këtyre parcelave janë elemente favorizues për kultivuesit që të largohen para se të kapen nga uniformat blu.
Drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj, flet për luftën e madhe të efektivëve të tij për asgjësimin dhe eliminimin e parcelave me kanabis sativa.
“Këtë vit lufta jonë ka qenë shumë e madhe ndaj kanabis sativës. Kemi pasur këto suksese dhe kemi bashkëpunuar dhe me instancat e tjera. Janë asgjësuar rreth 300 mijë bimë kanabis sativa deri më tani. Gjej rastin të falënderoj të gjithë punonjësit, pasi shpeshherë kanë qenë në terren në kushte shumë të vështira dhe duhen vlerësuar për diçka të tillë”.
Efektivët e policisë shpesh detyrohen të ecin me orë të tëra në këmbë në terrene malore duke vënë veten në rrezik nga mungesa e kushteve dhe nga pikasja që u bëhet nga elementet kriminalë.