Kryeministri Edi Rama është i ftuar në emisionin “Opinion” këtë të enjte. Kreu i qeverisë u pyet në lidhje me arrestimin e ish-Presidentit Ilir Meta. Pyetjes së gazetarit Blendi Fevziu, Rama iu përgjigj shkurt, se nuk ka koment mbi subjektet me të cilët merret drejtësia.
“Ke gjetur njeriun e gabuar për t’ia bërë këtë pyetje. Nuk kam asnjë koment. Është një subjekt me të cilin merret drejtësia, nuk kam asnjë koment”, tha Rama.
I pyetur në lidhje me mënyrën e arrestimit nga efektivët e policisë, Rama u përgjigj se Policia e Shtetit nuk varet nga ai. Sipas kreut të qeverisë emisionet janë duke e trajtuar ish-presidentin si viktimë.
“Policia e Shtetit nuk varet nga unë. Unë nuk drejtoj Policinë e Shtetit. Policia e Shtetit ka drejtues, ka protokolle, ka operacione që i ndërton mbi bazë të këtyre protokolleve. Dhe unë nuk bëj komente për një subjekt të drejtësisë. Jua kam lënë juve ta trajtoni si viktimë nëpër emisione, ditën dhe natën”, u shpreh ai.
Përgjigje u ktheu edhe kritikëve që e krahasojnë vendin me Kolumbinë.
“Gjëja më e lehtë për ju është të krahasoni Shqipërinë me Kolumbinë. Të krahasoni Shqipërinë me narkoregjimet. Bëjeni, nuk ka problem fare. Shqipëria ka hapur negociatat për t’u anëtarësuar në BE. Hapja e negociatave nuk i bëhet një vendi që është si Kolumbia, as një vendi që është narkoregjim, as një vendi që është regjim, por një vendi që skanohet me fakte, skanohet, jo nga gazetarë që janë këtu brenda vorbullës, por nga ekspertë të BE-së që vetëm me atë merren”, tha Rama.