Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji, në një postim në rrjetet sociale, teksa ndodhet në burg, ka rikthyer një denoncim të bërë vite më parë për situatën kriminale në Shkodër.
Salianji bën thirrje që qytetarët të bashkohen me protestën e nesërme në qytetin e Shkodrës, në orën 12:00.
Në videon, e cila është bërë shtatë vite më parë, Salianji përçon mesazhin se situata kriminale në vend është e rëndë dhe se shqiptarët meritojnë një qeveri që e lufton krimin.
“Sidomos në Shkodër në ditët e fundit, krimi sundon bashkë me qeverinë qendrore të Edi Ramës. Këtë e provoi sot një tjetër vrasje e tipit mafioz në qytetin e Shkodrës. Edhe kjo e sotmja ende e pazbuluar. Vrasja e sotme është në serinë e vrasjeve dhe rrëmbimeve të ditëve dhe javëve të fundit në zonën e Shkodrës.
Në pak muaj, në zonën e Shkodrës ka pasur 6 viktima, dy të zhdukur dhe tre makina të djegura. Familjarët dinë çdo motiv të krimeve që po kryhen nga bandat, edhe policia i di. Edhe qytetarët e frikësuar flasin nën zë për autorët, por policia nuk ndërhyn dhe nuk shoqëron askënd. Shqiptarët meritojnë një qeveri që lufton me zero tolerancë krimin e organizuar. PD garanton qytetarët se që në ditën e parë të saj në qeveri do të nisë shtypjen e bandave në çdo qytet ku operojnë”, tha Salianji.