Buxhetimi i përgjithshëm gjinor për vitin 2025 do të jetë kontribues për zbatimin e angazhimeve në adresimin e problematikave me bazë gjinore në sektorë të ndryshëm. Arritja e objektivave të parashikuar edhe në Strategjinë Kombëtare të Barazisë gjinore 2021-2030, kanë fokus krijimin e mundësive dhe kushteve të përshtatshme për gratë dhe vajzat që të mund të jetojnë dhe kontribuojnë në mënyrë të barabartë me burrat dhe djemtë.
Më konkretisht, 77 programe buxhetore nga 131 të tilla, kanë përfshirë në mënyrë efektive buxhetimin e përgjithshëm gjinor në kërkesat e tyre. Një zë i rëndësishëm mbetet fondi prej afro 5 miliardë e 720 milionë lekësh për 15 655 nëna që parashikohet të lindin gjatë 2025 dhe të cilat janë aktive në tregun e punës.
Por për bonusin e bebes, janë parashikuar 2 miliardë e 250 milionë lekë për 33000 bebe që parashikohet të lindin gjatë vitit të ardhshëm. Për mbështetjen e grupeve në nevojë me ndihmë ekonomike, për vitin pasardhës do të ofrohet për 62 mijë familje, duke synuar përfshirjen e burrave dhe grave nga këto familje në tregun e punës.
Ndërkohë, 47% e përfitueseve të ndihmës ekonomike janë gra të dhunuara dhe vlera e përfitimit në total do të jetë 3 miliard e 209 milionë lekë. Për 8000 gra që kanë më shumë se 3 fëmijë, do të përfitojnë 3-fishin e ndihmës ekonomike për vitin 2025 për një vlerë prej rreth 820 milionë lekë.