Koçiu: Çdo muaj “tetor rozë” në çdo qytet, orare të zgjatura dhe pa referim për kryerjen e mamografive

Shqipëria

Koçiu: Çdo muaj “tetor rozë” në çdo qytet, orare të zgjatura dhe pa referim për kryerjen e mamografive

Më: 2 nëntor 2024 Në ora: 19:30
Albana Koçiu

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka përmbyllur nëpërmjet një aktiviteti të veçantë fushatën ndërgjegjësuese “Ia vlen të jetosh”, mbajtur përgjatë muajit tetor për parandalimin e kancerit të gjirit.

Me pjesëmarrjen e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, pjesë e eventit rë organizuar në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe nën moderimin e gazetares së njohur, Rudina Xhunga, u bënë edhe gra e vajza të cilat ndanë më të pranishmet, histori personale se si ia dolën të fitojnë betejën me sëmundjen e kancerit të gjirit.

Në fjalën e saj ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh se Tetori Rozë u shoqërua me aktivitete të shumta ndërgjegjësuese nga veriu në jug, nga qendrat shëndetësore te bashkitë e mëdha, tek institucionet e kujdesit shëndetësor dhe te çdo organizata e shoqërisë civile, te sheshet dhe rrugët të cilat u bënë dëshmitare të marshimeve dhe të takimeve të organizimeve ku u fol për rëndësinë që merr diagnostikimi i hershëm.

Ajo theksoi se parandalimi në kohë është gjëja më e rëndësishme që mund t’i bëjmë vetes pasi të parandalosh është shumë më mirë se sa të kurosh dhe nëse kjo sëmundje kapet herët, është 100% e kurueshme.

Nëse do i referohesha statistikave, ne shikojmë që numri i diagnostikimeve nëpërmjet mamografive në një vit shkon rreth 25 mijë mamografi. Ndërkohë që vetëm në tetoret rozë, kryhen afro 12 mijë mamografi. Pra pothuajse gjysma bëhet në tetor dhe e gjithë kjo nga këto organizime dhe nga kjo referencë apo vëmendje që i kemi dhënë tetorit gjë që na bën të ndjehemi mirë që merr vëmendje por nga ana tjetër na bën të ndjehemi keq kur mendojmë që vetëm kur flasim, kujtohemi që duhet të bëjmë kujdes për shëndetin tonë”, u shpreh ministrja Koçiu.

Ministrja bëri të ditur lajmin se që çdo muaj i vitit do t’i kushtohet një qarku në Shqipëri, ku gratë mund të kryejnë mamografi pa referimin e mjekut dhe me orare të zgjatura.

“Kemi marrë angazhimin që mos të mos ngelemi vetëm në tetor me këto iniciativat e të qenit parën grave, por të jemi në çdo muaj të vitit. Dhe pikërisht MSHMS  ka marrë angazhimin që në çdo muaj të vitit do t’i referohemi secilit qark të Shqipërisë duke mundësuar oraret e zgjatuara, nga ora 08:00 deri në 20.00 të darkës, mamografia dhe njësitë e lëvizshme do jenë në një qark gjatë gjithë muajit. Dhe ndërkohë do të heqim dhe sistemin e referimit  duke bërë të mundur që çdo muaj t’i dedikohet një qarku, çdo muaj të jetë një tetor rozë për një qark të Shqipërisë”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Albana Cukalla, e cila e ka nisur karrierën e saj si gazetare dhe tashmë menaxhere marketingu, si dhe mjekja e pedagogia, Oltiana Petri kanë rrëfyer momentet e para të përballjes dhe guximin e tyre për ta mposhtur sëmundjen e kancerit të gjirit. Ato apeluan që të gjitha gratë të vendosin një kontroll rutinë gjatë gjithë vitit por veten e tyre pasi diagnostikimi i hershëm shpëton jetë.

Gjatë fushatës ndërgjegjësuese të Tetorit Rozë, 12701 vajza dhe gra kanë kryer mamografi pranë spitaleve rajonale dhe në njësitë e lëvizshme të mundësuara nga ISHP në të gjithë vendin.

Gjithashtu, MSHMS ka mundësuar që për herë të parë nëpërmjet e-Albania çdo grua të njoftohet për kryerjen në kohë të mamografive dhe kryerjen e kontrolleve. Një tjetër risi ishte edhe ngritja e një njësie të dedikuar e përbërë nga mjekë radiologë të kualifikuar, e cila do të funksionojë në vijim gjatë të gjithë vitit për leximin dhe dhënien e përgjigjeve në kohë reale të mamografive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat