Kryeministri Edi Rama thotë se së shpejti do të ketë program, për fëmijët e emigrantëve shqiptarë, për mësimin e gjuhës shqipe.
Nga Selaniku, në tubimin me shqiptarët, Rama u shpreh se ky program mund të shfrytëzohet edhe nga prindërit.
“Kjo do të kërkojë kohë e vet. Po bëjmë krijimin e një rrjeti mësuesh të lidhur me Ministrinë e Arsimit. Nuk është çështja, me vullnetarë apo me pagesë. Është çështje e shtrirjes së rrjetit të mësuesve që janë brenda Shqipërisë dhe jashtë Shqipërisë, duke filluar nga Greqia, për t’i vënë në dispozicion, të gjithë fëmijëve dhe prindërve, mundësinë që të mësojnë gjuhën shqipe, me mësues të dedikuar.
Së shpejti, ne do të bëjmë publik edhe një program të ri, një program, sipas meje, shumë i zhvilluar dhe shumë miqësor me fëmijët, përmes aplikacionit në telefon apo në kompjuter. Të gjithë prindërit dhe fëmijët do e shfrytëzojnë programin. Është program për t’i futur fëmijët në mësimin e gjuhës shqipe. Programi është ndërtuar i tillë që të jetë miqësor me fëmijët”, theksoi ai.