Anton Gjinaj alias Pashuk Gjini alias Pashk Rrapi është një nga biznesmenët shqiptarë që ka marrë dhe pseudonimin ‘El Chapo’. I përfshirë në trafikun e drogës, i arrestuar në Malin e Zi si një anëtar i një organizate kriminale, Gjinaj ka arritur të rrisë influencën e tij në Shqipëri, përmes bizneseve që ka ngritur
Në vitin 2010, kur mbante identitetin Pashuk Gjini, ai u dënua në Spanjë më tetë vite burg si pjesë e një organizate kriminale, e cila në vitin 2006 organizoi dhe koordinoi importimin, magazinimin dhe shitjen e mëtejshme të 50 kilogramëve heroinë në territorin e Spanjës. Droga kishte për destinacion tregun e zonave të turizmit detar në Alicante, Spanjë.
Në mënyrë të pashpjegueshme, ai shpëtoi nga drejtësia spanjolle dhe erdhi në Shqipëri, ku u mor me biznes dhe në vitin 2011 ndryshoi emrin në Anton Gjinaj. Ndërkohë, vijonte të ishte i shpallur në kërkim nga Interpol si Pashuk Gjini.
Më identitetin e ri, Anton Gjinaj u katapultua shpejt në një biznesmen të sukseshëm, pavarësisht se mediat nuk kanë ndalur së shkruari për aktivitetet e tij të dyshimta. Dhe kjo jo pa shkak.
Më datë 8 maj të vitit 2014, ai themeloi kompaninë Alessio-2014. Në analizën financiare të kryer rezulton se kjo kompani vitin 2021 e ka pasur vitin me të artë duke arkëtuar 126 841 455,00 ose thënë ndryshe më shumë se 1 miliard e 200 milion lekë.
Alessio-2014 është mëma e kompanisë FORALB ALABASTER nga ku 74.99% të aksioneve i ka subjekti Alessio dhe 25% të aksioneve i ka Ministria e Financave.
Kompania tjetër XYZ 08 SHPK është themeluar në vitin 2008 me objekt veprimtarie në fushën e minierave ku shoqëria kryen: Studimin, zbulimin, projektimin, konsulencen, sipermarrjen zbatuese dhe/ose investimin, sipas rastit, per realizimin me fonde publike dhe/ose jopublike te minierave me karakter shfrytezimi dhe/ose administrimi publik dhe/ose privat si: ndertimin dhe shfrytezimin e minierave publike dhe private per te tera llojet e mineraleve, shfrytezirnin e burimeve natyrore te ujrave minerale dhe termale; nxjerrja, prodhimi, perpunimi dhe tregtimi brenda dhe jashte vendit e mineraleve te paperpunuara dhe te perpunuara. Prodhim dhe tregtim materiale inerte guri. Prodhim dhe tregetim elemente betoni e betonarme te zakonshme te pararendur – gure dekokorative. Prodhim dhe tregetim materiale lidhes gelqere, allci cemento. Prodhim dhe tregetim i te gjithe materialeve te nevojshme ne fushen e ndertimit. Shit-blerja e pasurive te paluajtshme, godinave , apartamenteve dhe cdo pasurie tjeter e paluajtshme.
Këtë kompani e ka themeluar më herët Sami Seit Sharka më datë 18,02.2008.
Me pas në datë 04.11.2015, me anë të kontratës së shitblerjes së kuotave, Sami Sharka shiti 65% të kapitalit në favor të Sandër Palucës kundrejt çmimit 65.000 (gjashtëdhjetë e pesë mijë) lekë. Pas shitjes së kuotave, Sami Sharka largohet si ortak, ndërsa Sandër Paluca bëhet ortak i vetëm i shoqerisë.
Nëntë ditë më vonë, në datën 13.11.2015, me anë të kontratës së shitjes se kuotave, Sandër Paluca shet 100% të kapitalit në favor të shoqerisë ALESIO-2014 kundrejt cmimit 100.000 (njëqind mijë) lekë. Pas shitjes së kuotave, Sandër Paluca largohet si ortak, ndërsa shoqeria ALESIO – 2014 behet ortak i vetëm i shoqërisë.
Gjinaj e vijoi aktivitetin e tij, por në datë 14 prill të vitit 2021, u vu në pranga në Malin e Zi, pasi rezultonte i shpallur në kërkim nga Interpoli. Por, dy muaj më vonë, u bë pjesë e tenderave të Rindërtimit në Shqipëri.
Vijesti shkruante në atë kohë se Gjinaj u arrestua në vendkalimin kufitar Rozaje dhe hetimi përcaktoi se ai ishte në kërkim nga NCB Interpol Madrid.
Mirëpo, pavarësisht problemeve me drejtësinë, Anton Gjinaj në datë 14 qershor 2021 futet në garë nëpërmjet kompanisë Alessio- 2014 dhe fiton tenderin në Programin e Rindërtimit. Bashkia e Lezhës me në krye Pjerin Ndreun shpalli fitues Anton Gjinajn duke i tenderuar 760 milion lekë.
Puna që duhet të bënte ishte “ Shembja e njesive individuale te banimit te pabanueshme, te demtuara nga termeti i dates 26.11.2019 dhe transportimi i materialeve te dala nga shembja e tyre”. (Programi i Rindertimit)”.
Gazetari Flamur Vezaj shkruante në korrik të vitit 2022 se Gjinaj, edhe pse ndodhej në qeli, ka marrë 15 milionë dollarë tendera nga kryebashkiakët socialistë. Më konkretisht nga Bashkia e Tiranës, Krujës, Durrësit dhe Lezhës, ai ka marrë 16 kontrata tenderimi për rindërtimin e shtëpive apo rrugëve pas tërmetit.
Nga verifikimet e kryera ne faqen e opencorporates.al dhe QKB-së rezulton qe kompania e Gjinajt “FORALB ALBASTER” dhe “ALESIO 2014” është gjithashtu ortak në një biznes me Ministrin e Financave dhe Ekonomisë. Gjinaj ka 77.99 % të aksioneve në kompaninë ku ortak ka ministrinë me 25 % te aksioneve. Bëhet fjalë për kompaninë “Foralb Alabaster”, kompani që ka seli ne Tirane, Kavajë dhe është aktivizuar në prodhimin e gipseve e që vazhdon aktivitetin prej shumë vitesh.
Dhe të gjitha këto procedura duket se janë në shkelje të ligjit, pasi ligji parashikon që autoriteti kontraktor skualifikon nga procedura e përzgjedhjes së fituesve të kontratave publike çdo operator ekonomik, kur ka të dhëna se është ose ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, për ndonjë nga veprat penale. ligjit nr. 55/2015, “për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë, të ligjit nr. 93/2015, “për turizmin”, të ndryshuar si dhe të ligjit nr. 9374, datë 21.4.2005, “për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar.
Personat që nuk mund të marrin pjesë në tendera
Të dënuarit për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, bandë e armatosur, organizatë terroriste;
Të dënuarit për korrupsion;
Të dënuarit për mashtrim;
Të dënuarit për pastrim parash ose financim i terrorizmit;
Të dënuarit për vepra me qëllime terroriste ose vepra penale të lidhura me veprimtari terroriste, ose nxitje, ose ndihmë ose mbështetje për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste;
Të dënuarit për organizim, drejtim ose financim i veprimtarisë së prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si dhe veprimtarisë së trafikimit të narkotikëve;
Të dënuarit për falsifikim;
Të dënuarit për punën e fëmijëve dhe forma të tjera të trafikimit të qenieve njerëzore.
Bazuar në të gjithë historikun e tij, më 28 korrik të vitit 2022, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) urdhëroi sekuestrimin e pasurive të Anton Gjinajt.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, njoftoi të mërkurën se Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e saj për sekuestrimin e disa kompanive dhe pronave të shumta në emër të Anton Gjinajt (Pashuk Gjini), sipërmarrës me veprimtari të gjerë kryesisht në fushën e ndërtimit.
Sipas prokurorisë, rezulton se ai dhe familja e tij “kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri dhe Spanjë.”
“Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit Anton (Pashuk) GJINAJ (Gjini) dhe familjarëve të tij, rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri dhe Spanjë”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Të paktën 6 kompani u sekuestruan, mes tyre Alesio-2014. Gjithashtu janë sekuestruar 13 prona të tjera, si apartamente, ndërtesa, dhe sipërfaqe të shumta toke, si truall ashtu dhe arë, sikundër dhe 4 automjete.
Biznesmeni Anton Gjinaj ishte ndjekur nga DEA amerikane për drogën në Spanjë, e cila i ka sjellë provat autoriteteve shqiptare. Në kohën që iu sekuestruan pronat, ai ishte transferuar në burgun e Reçit ku po vuante dënimin e dhënë nga drejtësia spanjolle, të cilit i ishte shmangur deri në momentin e arrestimit në Malin e Zi.
Më pas Gjinaj u transferua në burgun e Rrogozhinës dhe vetëm 8 ditë para fundvitit, u lirua nga qelia, duke ju bashkuar biznesit familjar në Laprakë.
Vendimi për lirimin e Anton Gjinaj, është marrë nga gjyqtari i Kavajës Sokol Marra, i cili ka njohur periudhën e qëndrimit në paraburgim të Anton Gjinaj në Malin e Zi, shtet ku fillimisht u arrestua për akuzën e trafikut të drogës.
Njëherësh gjyqtari i Kavajës Sokol Marra, ka njohur dhe periudhën disa mujore të vuajtjes së dënimit në 3 burgjet shqiptare. Dhe për pasojë, ka dalë në konkluzionin se personi me 3 emra si Anton Gjinaj alias Pashk Rrapi alias Pashuk Gjini, ka tejkaluar dënimin prej 8 vite e 9 muaj burgim, të dhënë nga Drejtësia Spanjolle.
Ndërsa SPAK, përmes prokurorit Vladimir Mara vijoi të mbante nën hetim 23 pasuritë e sekuestruara.
Sot që flasim nuk ka një konkluzion mbi atë që ka ndodhur në lidhje me këto prona të sekuestruara…