Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se 73 shërbime të reja sociale janë shtuar në tetë qarqe të vendit nga vitit 2019 deri sot.
“Bashkë me pushtetin vendor jemi duke punuar për të zgjeruar qendrat dhe shërbimet sociale në vend. Nga viti 2019 deri më sot, nëpërmjet Fondit Social janë ngritur 73 shërbime të reja në 51 bashki dhe 8 qarqe, duke ndihmuar 32,869 individë. Në 2025, synojmë më shumë shërbime pranë komunitetit, decentralizimin dhe deinstitucionalizimin, me transformime në Korçë e Vlorë për shërbime me bazë komunitare”, u shpreh Koçiu.
Mbështetja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për bashkitë e vendit nëpërmjet Fondit Social, që nga fillimi i funksionimit të këtij instrumenti pesë vite më parë deri më sot ka mundësuar financimin për ngritjen e 73 shërbimeve të reja në 51 bashki dhe 8 qarqe, ofrimin e shërbimeve komunitare për gati 33.000 përfitues, krijimin dhe funksionimin për herë të parë të shërbimit lëvizës në banesë si dhe krijimin dhe funksionimin për herë të parë të shërbimit të Asistencës Shtëpiake për të moshuarit e vetmuar dhe të braktisur, apo për persona me probleme të shëndetit mendor.
Fondi Social ka mundësuar punësimin e 581 profesionistëve me figura profesionale dhe specialistë të fushës si logopedistë, punonjës socialë, psikologë, fizioterapistë etj.