Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu pritet nga homologu i tij Guido Crosetto në Romë

Shqipëria

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu pritet nga homologu i tij Guido Crosetto në Romë

Më: 7 nëntor 2024 Në ora: 18:23
Foto nga takimi

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë z.Pirro Vengu u takua në Romë, me Ministrin e Mbrojtjes së Italisë z.Guido Crosetto. Gjatë bashkëbisedimit me homologun e tij, Ministri Vengu i shprehu mirënjohjen për angazhimin e tij dhe ekipit të tij në forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve.

Ministri Vengu theksoi rëndësinë e partneritetit të ngushtë me Italinë, veçanërisht në kontekstin e sfidave të përbashkëta në hapësirën Adriatiko-Joniane dhe në vigjilencën e përbashkët për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë këtij takimi, dy ministrat shprehën vendosmërinë që partneriteti i natyrshëm strategjik, nën impulsin edhe të dy Kryeministrave Giorgia Meloni dhe Edi Rama, të prodhojë efekte edhe në fushën e industrisë ushtarake.

Ministri Vengu dhe homologu i tij Italian z.Guido Crosetto diskutuan ndër të tjera edhe për situatën e sigurisë dhe zhvillimet dinamike në rajonin e Ballkanit Perendimor.

Angazhimet e përbashkëta operacionale në kuadër të NATO-s dhe BE-së me vëmendje në misionin e KFOR në Kosovë, ishin një tjetër temë e diskutimeve, ashtu si edhe zhvillimi i kapaciteteve të forcave shqiptare apo modernizimi dhe mundësitë e zhvillimit të industrisë ushtarake detare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat