Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë tha se buxheti i vitit 2023, ishte buxheti i padrejtësive, ku të favorizuar ishin oligarkët dhe krimi i organizuar.
Në fjalën e saj, ndërsa diskutohej buxheti faktik i vitit 2023, Hoti tha se buxheti i vitit të shkuar nuk është pasqyrë e zhvillimit ekonomik, por instrument për t’i shërbyer interesave të ngushta.
“Po flasim për buxhetin që favorizon krimin e organizuar dhe oligarkët ndërkohë që 47% e fëmijëve janë në varfëri ushqimore.
Po flasim për buxhetin që financon luksin e kryeministrit dhe udhëtimet e tij me Charter, ndërsa shqiptarët përballen me varfëri ekstreme.
Për cilin buxhet po flasim për atë të 430 mln euro të inceneratorëve, që nuk ekzistojnë, ndërkohë që pensionistët janë në mëshirë të fatit dhe nuk blejnë dot as ilaçe me ato pensione qesharake.
Po flasim për buxhetin e bandës 5D, ndërsa të rinjtë janë duke ikur pasi këtu s’ka më meritokraci dhe s’kanë asnjë mundësi për të jetuar dhe ndërtuar të ardhmen e tyre.
Po flasim për një buxhet ku në fokus është padrejtësia dhe injorimi i shtresave në nevojë”, theksoi Hoti.
“Ky është dhe realiteti i 12 viteve keq-qeverisje. Një sistem që ka vjedhur pa mëshirë paratë e shqiptarëve, duke u shërbyer interesave të ngushta, jo mirëqenies së qytetarëve.
Buxheti, nuk është pra pasqyrë e zhvillimit dhe mirëqenies, por instrument për shpërndarjen e pasurisë tek një grup individësh”, tha më tej Hoti.
Deputetja e Partisë Demokratike, tha se qarku Lezhë, të cilin ajo e përfaqëson është braktisur nga qeveria.
“Taksat e shqiptarëve vazhdojnë të fluturojnë, shërbimet mbeten të pakta dhe të dobëta.
Po flas për një buxheti që nuk u jep asnjë mundësi për një të ardhme më të mirë, teksa pasuritë merren për të mbushur pasuritë e disa të fortëve.
Po flasim për buxhetin që vetëm 2% e parashikimit për investim për qarkun Lezhë. Braktisje totale.
Asnjë investim në interes të qytetarëve. Qindra banorë pa ujë dhe infrastrukturë të nevojshme, teksa paratë për fondin e investime shkon për t’u ndarë në disa pak duar”, nënvizoi Hoti.