Berisha prezanton programin për bujqësinë: Kreditë e tyre do financohen në masën 80%

Shqipëria

Berisha prezanton programin për bujqësinë: Kreditë e tyre do financohen në masën 80%

Më: 7 nëntor 2024 Në ora: 20:25
Ish-kryeministri Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar programin e Partisë Demokratike për bujqësinë, gjatë fjalimit të tij nga ballkoni i banesës së tij.

Berisha tha se fermerët do të kenë një financim prej 150-200 milionë eurosh në vit dhe se do subvencionojë normat e interesit të kredive bankare në fushën e bujqësisë në masën 80% të tyre.

“Por unë jam sot këtu para jush për të garantuar fermerët shqiptarë se buxhetet e ardhshme, fermerët do të kenë një financim prej 150-200 milionë eurosh në vit.

Se do ketë mbështetje direkte për të gjithë sektorët, bujqësinë, blegtorinë, peshkimin, akuakulturën, akuaindustrinë mbi bazën e sipërfaqes, mbi bazën e prodhimit dhe numrit të krerëve.

Çdo fermer që aplikon mbështetje në fushat prioriare të përcaktuara nga qeveria.

Eksporti, blegtoria, pemëtaria, agropërpunimi do përfitojnë mbështetje nga shteti pa asnjë kufizim.

Qeveria do subvencionojë normat e interesit të kredive bankare në fushën e bujqësisë në masën 80 përqind të tyre.

Kjo ndërhyrje është emergjente për shpëtimin e bujqësisë shqiptare nga falimentimi i plotë.

Do subvencionohen skemat e e sigurimit të pronës në bujqësi, sigurimit të dëmtimeve nga fatkeqësitë natyrore. Ky subvencionim do jetë në masën 75 përqind të primit të sigurimit.

Zhvillimi i infrastrukturës bujqësore është premtimi ynë solemn.

Çdo vit ujitja dhe kullimi do ketë investim prej të paktën 70 milionë euro. Brenda 4 viteve ne do dyfishojmë aftësitë ujitëse dhe kulluese në të gjithë sipërfaqen bujqësore.

Të dashur miq, me një marrëveshje të fshehtë me Beogradin, me padronin e tij, Edi Rama vendos mbi fermerët shqiptarë sistemin më armiqësor që ekziston kund të taksës së vlerës së shtuar.

Zero në blerje, 20 në shitje.

Çfarë do të thotë kjo miqtë e mi?

Kjo do të thotë që të gjithë operatorët e fushës në bujqësi të mos blejnë produktet e fshatarëve, por të marrin produktet e importit.

Atyre t’u kalbet në fushë, kurse fermerëve të Shumadishës të vijnë dhe të përpunohen në Shqipëri.

Ky akt armiqësor, antishqiptar do marrë fund javën e parë të parlamentit të ardhshëm.

Do krijohet agjencia e studimit të tregjeve dhe orientimit të fermerëve në mënyrë që të mos ndodhë kjo që ndodh rëndom tani, ku qindra e mijëra kuintalë prodhime të klasit të parë përfundojnë në kanale, groposen për shkak të dezorientimit të plotë për tregun dhe mosinformimin e tyre.

Do garantohet shërbimi bujqësor dhe blegtoral nga shteti në çdo rreth, në çdo qark, i organizuar dhe falas.

Do investohet për mekanizmin dhe modernizimin e mekanikës bujqësore.

Një kontroll i rreptë do jetë mbi importin e imputeve bujqësore. Cilësia e tyre do jetë kushti i të gjitha kushteve për t’u shpërndarë në këtë vend.

Siguria ushqimore, e cila sot është si kurrë më parë keq, do jetë një përparësi absolute.

Pra, miqtë e mi, për ne krijimi i mirësive, pasurive, begatimi kudo që jetojnë shqiptarët, është dhe mbetet qëllimi ynë madhor.

Ndaj dhe të bashkohemi, është radha jonë, është radha jonë.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!”, tha Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat