Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili prej më shumë se dy javësh ndodhet në burgun “313” në Tiranë, ka folur për akuzat ndaj ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, të cilën e ka akuzuar se e ka tradhtuar para organeve të drejtësisë.
Në një intervistë mediatike, Meta është shprehur se askush nuk mund ta tradhtojë atë pasi nuk ka bërë asgjë të paligjshme, por SPAK ka marrë peng njerëz nga opozita për t’i përdorur për llogari të regjimit.
Gjithashtu Meta ka treguar edhe se si po i kalon ditët në burg, ku vend kryesor zë stërvitja, leximi dhe mesazhet me qytetarët.
Pjesë nga intervista:
Gazetarja: Zoti Meta u bë mbi dy javë nga arrestimi juaj. Si po kalojnë këto ditë në qeli? Si është trajtimi? Përveç fëmijëve dhe motrës tuaj cilët janë personat e tjerë që kanë shprehur interes dhe dëshirë për t’ju vizituar? Në media është aluduar herë pas here nga persona të caktuar që ju nuk po i përballoni mirë emocionalisht këto dite… keni një koment?
Meta: Unë po kaloj shumë mirë, sepse lexoj shumë dhe stërvitem sa mundem për Maratonën. Po kështu kam kohë të shkruaj dhe shkëmbej mesazhe e letra me miq të dashur e të vërtetë. Ka shumë persona, gazetarë e miq që kanë kërkuar të takohen, por vetëm një takim në javë lejohet me familjarët. Ana emocionale është shumë pozitive. Ata që më kanë matur tensionin (për procedurë) kanë mbetur të habitur se janë parametra piloti. Thashethemet e gazetarëve të SPAK-ut nuk do mbarojnë dhe s’më çudisin, si ajo se unë kisha kërkuar palestër. Unë vetëm kam pyetur a ka palestër. Por bëj çdo ditë në qeli ushtrimet që më ka mësuar Ylli Bodinaku nga përvoja në Spaç. Edhe orën e dorës që ma morën kur më rrëmbyen, ma kthyen pas 10 ditësh. Por unë nuk mërzitem. Me qetësi.
Gazetarja: Ju akuzoni ish-bashkëshorten tuaj Monika Kryemadhi si njeriun që ju ka tradhtuar para SPAK, kur e kuptuat se pas krahëve tuaj po luhej “pisët”?
Meta: Për mua ka rëndësi të mos tradhtoj njeri sidomos kur bëhet fjalë për kauza të mëdha dhe jo vetëm për interesa personale. Dhe unë kurrë nuk i kam tradhtuar kauzat e mia dhe mbështetësit e mi të sinqertë. Askush nuk ka mundësi të më tradhtojë mua te SPAK-u sepse unë kurrë s’kam bërë diçka të paligjshme. Problemi është kur SPAK-u si një organizatë policeske antiopozitë merr peng njerëz të opozitës për t’i përdorur për llogari të regjimit, siç ka ndodhur edhe me Partinë e Lirisë tani edhe me Partinë Demokratike më parë.
Gazetarja: Nga ana tjetër Kryemadhi ka shprehur admirim dhe dashuri të madhe ndaj jush, madje ka kërkuar edhe që të hyjë në qeli në vendin tuaj, si e shikoni këtë pozicionim?
Meta: Unë jam në qeli për shkak të bindjeve të mia politike dhe kërcënimit që përfaqësoj për këtë regjim mafioz që ka si agjendë kryesore shpopullimin e vendit dhe zhbërjen e identitetit kombëtar dhe cënimin e interesave kombëtare siç është edhe shitja e qëllimshme e Detit dhe pasurive të tij nga Rama në interes të Greqisë.
Gazetarja: Zonja Kryemadhi thotë se “peshku i madh” fshihet në telefonin e saj. Ju z. Meta keni ndonje dijeni për “peshkun e madh”?
Meta: S’dua të luaj më “telefoni i prishur”. Kemi luajtur shumë kur kemi qenë fëmijë këtë lojë.
Gazetarja: A ka një as nën mëngë Ilir Meta?
Meta: Asi im është patriotizmi dhe atdhedashuria.