Ngarkesa e anijes me mbetje të rrezikshme do të magazinohet në Porto Romano

Shqipëria

Ngarkesa e anijes me mbetje të rrezikshme do të magazinohet në Porto Romano

Më: 8 nëntor 2024 Në ora: 08:41
Foto ilustrim

Anija “Moliva,” e dyshuar se transporton mbetje të rrezikshme, me një ngarkesë prej 102 kontejnerësh, është ankoruar mëngjesin e sotëm në portin e Durrësit.

Burime nga Autoriteti Portual bëjnë me dije se për shkarkimin e anijes është rezervuar kalata numër 7, ndërsa procesi i shkarkimit pritet të zgjasë rreth 3 orë.

Pasi të shkarkohen, kontejnerët do të transportohen me masa të rrepta sigurie, të shoqëruar nga policia dhe autoritetet e ngarkuara për mbikëqyrje, drejt zonës së Porto Romanos, pranë Parkut Ekologjik.

Në këtë zonë është përgatitur një vend i posaçëm, i cili përmbush kushtet e vendosura nga Prokuroria për monitorim 24 orë me kamera sigurie dhe siguron mbrojtje të lartë mjedisore.

Mbetjet do të qëndrojnë aty nën mbikëqyrje të rreptë deri në përfundim të hetimeve nga organi i akuzës.

Anija me mbetjet, të cilat janë refuzuar më herët nga autoritetet tajlandeze, mbërriti në Durrës më 28 Tetor dhe qëndroi në radën e jashtme të portit, në pritje të përmbushjes së kushteve të kërkuara për venddepozitimin e tyre nga Prokuroria e Durrësit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat