Gjirokastër/ Rijetësimi i shtigjeve turistike, rikthen vizitorët në luginën e Drinos

Shqipëria

Gjirokastër/ Rijetësimi i shtigjeve turistike, rikthen vizitorët në luginën e Drinos

Më: 8 nëntor 2024 Në ora: 18:20
Foto ilustrim

Lugina e Drinos, në zonën e Gjirokastrës mbart vlera të shumta natyrore dhe monumente kulturore të cilat janë resurse të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Vizitorët vendas dhe të huaj preferojnë të kalojnë ditët e vjeshtës dhe kryesisht fundjavat në peizazhin piktoresk dhe pikat e trashëgimisë kulturore të luginës së Drinos.

“Eksperienca ishte shumë e bukur dhe unike sepse bënte kombinim të historisë, ishte organizuar shumë bukur sepse na tregoi një fytyrë të Gjirokastrës që unë nuk  e kisha parë”,-tha vajza.

“Edhe pse Gjirokastra është një ndër destinacionet patjetër turistike  nuk na kishte qëlluar që të vinim dhe të zbulonim  këto thesare,  jemi përpara portës së Manastirit të Dhuvjanti dhe ishte  realisht një surprizë shumë  e madhe  jo vetëm për madhështinë  arkitektonike  por edhe për pjesën shpirtërore,  për komunitetin që vazhdojnë ta mirëmbajnë”.

Rijetësimi i shtigjeve këmbësore që përshkojnë këtë luginë zgjeron hartën e vizitueshmërisë duke sjellë më shumë turistë. Promovimi i këtyre resurseve rrit interesimin për restaurimin e objekteve “Monument Kulture”.

“Kjo është një  pikë shumë e rëndësishme  që mund edhe të ndihmojë dhe të japi një kohëzgjatje paketës turistike të Gjirokastrë, po në të njëjtën kohë të ndihmojë edhe komunitetin e zonës për të kuptuar rëndësinë që kanë monumentet që ndodhen në këtë zonë, por edhe për të krijuar disa mundësi ekonomike  që mund të ketë më shumë interes, mund të ketë edhe më shumë bujtina që mund të hapen. Restorante pra të jetë një pikë e cila do të mund të bashkojë interesa të ndryshme dhe të vijë në ndihmë të komunitetit edhe për ta bërë këtë zonë  kaq shumë interesante dhe të rëndësishme të historisë dhe të kulturës, traditës sonë më të njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj”,-tha Elena Mamani, eksperte e turizmit dhe trashëgimisë kulturore.

Gjatë këtij viti destinacionet turistike në Luginën e Drinos kanë pritur një numër në rritje vizitorësh duke shtuar kohëqëndrimin e tyre në zonën e Gjirokastrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat