Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e Shqipërisë, informon publikun se nuk ka dyshime dhe rikonfirmime të reja për Influencën aviare, në vend, siç quhet ndryshe dhe gripi i shpendëve.
Në harkun javor 30 tetor – 7 nëntor 2024, Ministria e Bujqësisë thotë se ka vijuar monitorimin në fshatrat e zonës së mbikëqyrjes 3 km dhe atë të zonës së mbrojtjes 10 km, për të kontrolluar dhe inventarizuar 3,935 ferma shpendësh të madhësive të ndryshme.
“Nga kontrolli fizik i shpendëve në këto ferma, gjendja shëndetësore është paraqitur pa shqetësime lidhur me kuadrin klinik të Influencës aviare. Qendrat Kombëtare dhe Rajonale të Krizës kanë vazhduar raportimin dhe koordinimin ditor deri në mbylljen e rastit dhe daljen nga karantina të vatrës pozitive.”, thuhet në njoftimin për shtyp të MBZHR-së.
Për gjurmim të hershëm dhe kufizim të përhapjes së sëmundjes, shërbimi veterinar i AKVMB ka marrë dhe dërguar në ISUV 209 mostra për analizim rreth rrezes 3 km dhe 10 km.
Në zbatim të Programit të Survejancës aktive për fazën e tret që ka filluar në tetor për Sëmundjen e Influencës Aviare kanë mbërritur në Laboratorin e Referencës – ISUV 140 kampione nga Rajone të tjera, përkatësisht qarku Elbasan, Korçë, Shkodër, Lezhë, Dibër, Fier.
“Instituti i sigurisë Ushqimore dhe veterinarisë informon se rezultatet e analizave deri në datën 6.11.2024, kanë rezultuar NEGATIV për Influencë Aviare me metodën konfirmatore RT-PCR.”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.