Peleshi “zbërthen” rastin “Xhaçka” dhe atë të deputetëve opozitarë të përjashtuar

Shqipëria

Peleshi “zbërthen” rastin “Xhaçka” dhe atë të deputetëve opozitarë të përjashtuar

Më: 8 nëntor 2024 Në ora: 23:35
Niko Peleshi

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi, është shprehur se Gjykata Administrative kapërceu kompetencat e veta dhe hyri në ato të Kuvendit, me vendimin për rrëzimin e masës së përjashtimit të disa deputetëve të opozitës nga Parlamenti.

Komentet Peleshi i bëri në një emision televiziv ku tha se PS e zbatoi vendimin në dukje të padrejtë të gjykatës dhe më pas do e apelojë edhe në shkallët e tjera.

“Kemi të bëjmë me dy standarte. Një standart që përdoret nga ne dhe një nga opozita. Ne edhe kur nuk jemi dakord me një vendim gjykate, ne e zbatojmë vendimin e Gjykatës. Marrim konkretisht vendimin e Gjykatës Administrative. Në optikën tonë, ai vendim nuk ishte i drejtë. Gjykata Administrative ka dalë nga kompetencat e veta dhe është future në kompetencat e Kuvendit. Por ne e zbatuam vendimin e Gjykatës dje.

Deputetë të opozitës të përjashtuar nga Kuvendi, u lejuan të vijnë në Parlament. Ne nuk bëjmë vetëgjyqësi. Ne zbatojmë vendimin e gjykatës edhe kur duket që ai është i padrejtë. Por do të ndjekim shkallët. Pra do e ndjekim procedurën ligjore siç na njeh ligji. Do ta apelojmë, sepse ai vendim ishte një shkelje nga ana e Gjykatës Administrative. Edhe vetë Gjykata e Lartë ka një vendim i cili thotë se asnjë gjykatë nuk mund të vlerësojë vendimet e organeve kolegjiale të Kuvendit, në këtë rast Komisioni i Etikës. Ne do të apelojmë, kjo është në të mirë të pozitës dhe opozitës. Ne flasim për pavarësi të institucioneve. Ne flasim për drejtësi të pavarur, por kjo nuk do të thotë se Kuvendi duhet të jetë i varur”, tha Peleshi.

Peleshi foli edhe për rastin e deputetes Olta Xhaçka, për të cilin tha se mazhoranca në asnjë moment nuk e ka vënë në diskutim vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e saj.

Ai tha se Kushtetuesja e çoi mandatin e Xhaçkës në Kuvend dhe deputetët votuan sipas mendimit të tyre, për të mos e hequr mandatin e saj.

Sipas Peleshit, do të jetë Komisioni i Venecias që do të japë një mendim të plotë lidhur me këtë çështje, pas vendimit të mazhorancës për ta dërguar “dosjen” atje.

“Në rastin e Xhaçkës kemi respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi mazhoranca nuk ka marrë vendim politik përkundër këtij vendimi. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese detyron që mandate të shqyrtohet dhe votohet në Kuvend. Në asnjë rrugëtim të këtij vendimi ne nuk jemi bërë pengesë. Ka shkuar në seancë, nuk i kemi mbledhur deputetët që t’u themi do mbajnë këtë apo atë vendim. Vota abstenuese për hir të së vërtetës ka qenë për shkak të paqartësisë së deputetëve. U votua në seancë siç vendosën deputetët. Dhe për ta sqaruar më mirë këtë situatë iu drejtuam Komisionit të Venecias, i cili nuk jep vendim, por mendim. Lajmi i mirë është që do kemi një mendim sëshpejti, Brenda seancës së dhjetorit besoj”, shtoi më tej Peleshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat