Ish-kreu demokrat Lulzim Basha, ka folur për situatën politike në vend, duke u ndalur te Partia Demokratike dhe zgjedhjet e ardhshme.
Basha, në një emision televiziv është ndalur te Berisha lidhur me deklarimet e tij për çështjen e ish-agjentit të FBI-së Charls McGonigal, duke thënë se ish-kryeministri i ndryshon historitë sipas tekave të tij.
“Si çështja gjyqësore dhe raportimi profesional i mediave amerikane, e ka bërë të qartë se trageti i zotit Rama në korruptimin e McGonigal, ishte rivali i tij për kryeministër zoti Basha.
Berisha ka një huq të vjetër, që e përshtat historinë sipas tekave të tij, por fakti është që Rama është kapur në flagrancë, duke korruptuar një zyrtar amerikan për hesap të luftës së brendshme politike”, tha ai.
Basha, ndër të tjera tha se Partia Demokratike nuk është në duart e Sali Berishës, por të Edi Ramës.
Ai tha se nuk kanë ndërmend të lejojë Ramën “të ketë luksin të grabisë mandatin e katërt, pa dhënë llogari për mandatin e 3, 2 për ekonominë, për lidhjet me krimin”.
“PD nuk e mori Berisha, e mori Rama me duart e Berishës. Berisha u përdor nga Edi Rama dhe vendosi ekuivokun të cilin e keni parë të shpallet në sloganin e PS. Jo pak i ngjashëm me atë të fushatës së 2021. Në zgjedhjet e ardhshme, është o Edi Rama o Sali Berisha. Ky është luksi që investoi Edi Rama dhe me të cilin u ka rob Berisha.
Nuk kemi ndërmend të lejojmë Edi Ramën të ketë luksin të grabisë mandatin e katërt, pa dhënë llogari për mandatin e 3, 2 për ekonominë, për lidhjet me krimin. Madje edhe për mandatin e tij personal është prodhim i bandave kriminale të Durrësit.
Jemi këtu për të siguruar shqiptarët të kenë një alternativë që shpalos një program të vërtetë që e nxjerr Shqipërinë nga ky udhëkryq.
Fokusi i PD duhej të ishte ecja përpara dhe jo ngecja në një luftë të brendshme. Fatkeqësisht investimi Ramës pati sukses. Beteja për të përçarë opozitën ka shenjën e gishtave të Edi Ramës, jo vetëm atë si person, por oligarkët, mediat e kontrolluara nga ai dhe krimi”, tha Basha.