Banorët rindërtojnë kishën në Senicë të Delvinës, ndodhen rrënojat e shekullit të 14

Shqipëria

Banorët rindërtojnë kishën në Senicë të Delvinës, ndodhen rrënojat e shekullit të 14

Më: 9 nëntor 2024 Në ora: 15:41
Foto nga vendi i ngjarjes

Senica fshati më i sipërm i krahinës së Rrëzomës në Delvinë njihet për kontributin e pandërprerë për trashëgiminë, kulturën dhe identitetin kombëtar.

Seniciotët kanë jetuar ashtu si e gjithë krahina disa valë emigracioni por ja kanë dalë të rikthehen herë pas herë për të kërkuar e shpëtuar rrënjët. Me kontributin e banorëve kisha e Shën Mëhillit u ringrit mbi rrënojat e saj të shek 14-të, në fushën e Luvadhit një vend predikimi shekullor përgjatë rrugëve tregtare historike.

“Kisha quhet shën Mëhilli, shën Mihali dhe kjo kishë e filloi rindërtimin në 2020 mbi rrënojat e kishës së shek 14-të”, tha një banor.

Ky vend sipas historianit Halil Shabani i përkiste të gjithë udhëtarëve pa dallim  duke u kthyer në model qëndrese edhe gjatë periudhës otomane.

“Ne kemi ardhur këtu disa herë dhe kemi gjetur themelet e kishës së vjetër të Shën Mëhillit, strukturën, planimetrinë. Ajo futet në tipat e kishave të thjeshta të periudhës bizinatine. Analogjitë e saj i gjejmë me kishën me të njëjtin emër në fshatin Vuno si dhe në kishën e Shën Thanasit në fshatin Pecë të Delvinës”, tha  Halil Shabani, historian.

Mesha e parë që e mbajtur në kishën modeste të Shën Mëhillit pas të paktën 2 shekujve ju dedikua kujtesës dhe dashurisë, mbështetjes për njëri-tjetrin dhe ruajtjes së identitetit edhe në kohë të vështira.

“Të falënderojmë djemtë që u munduan për ngritjen e kësaj kishe por e para është të ngremë kishat në zemrat tona, në shtëpitë tona, në familjet tona në dashurinë tonë. Gëzuar të gjithëve! Gëzim, dashuri, paqe kudo”, uron prifti.

E vendosur përreth kishës  së Shën  Dhimitrit Senica është i vetmi fshat ortodoks mes 7 fshatrave të Rrëzomës. Në vitin 1770 tek Shpella e Besës në Senicë u mbajt Kuvendi Ndërkrahinor i Jugut ku delegatët e të gjitha krahinave ranë dakord për  luftë  kundër sundimit osman si dhe u bë betimi simbolik për të respektuar e mos parë dallimin mes besimit ortodoks të këtij fshati dhe atij mysliman që kanë shtatë fshatrat e tjerë të zonës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat