Si do votojnë emigrantët, Balla jep detaje të reja nga Italia

Shqipëria

Si do votojnë emigrantët, Balla jep detaje të reja nga Italia

Më: 9 nëntor 2024 Në ora: 21:57
Foto nga takimi

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, realizoi një takim të rëndësishëm me komunitetin shqiptar në Venecia, Itali.

Gjatë këtij takimi, Balla paraqiti detaje mbi procesin e ri të votimit për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, duke theksuar rolin e rëndësishëm që diaspora mund të luajë në forcimin e demokracisë shqiptare.

“Për herë të parë pas 34 vitesh, qytetarët shqiptarë në diasporë do të kenë mundësinë të votojnë në zgjedhjet shqiptare, përmes një procesi të qartë dhe të verifikueshëm. Dhe është shumë e rëndësishme që secili prej jush të kuptojë që ky proces do të paraprihet përmes një procesi regjistrimi. Çdo shqiptar mbi 18 vjeç, me pasaportë apo kartë identiteti biometrike, do të mund të regjistrohet paraprakisht përmes një portali të dedikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Regjistrimi do të kryhet personalisht, dhe identiteti do të verifikohet përmes një kamere për të siguruar që aplikimi kryhet nga vetë personi”, tha Balla.

Ministri Balla shtoi se, pas verifikimit, shqiptarët në diasporë do të marrin një zarf me fletën e votimit, të cilën do ta përdorin për të votuar në mënyrë të sigurt dhe të qartë.

“Fleta e votimit vjen sipas qarkut ku keni patur regjistrimin e fundit. Vendbanimin e ke pasur në Tiranë, jeton në zonën e Venecias, do të të vijë nga Tirana fleta e votimit,” sqaroi ai.

Në përfundim, Balla shprehu dëshirën e qeverisë për një pjesëmarrje sa më të gjerë nga diaspora në procesin e votimit, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të demokracisë shqiptare.

“Duam që zëri i bashkatdhetarëve tanë në diasporë të jetë më i madh. Aq më e fortë është demokracia shqiptare, aq më i madh dhe i vlefshëm është zëri juaj,” përfundoi Balla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat