“Një tufë qepë dhe 1 kg fasule”. Vetëm kaq mund të blejnë pensionistët sipas deputetit të Partisë Demokratike, Saimir Korreshi me paratë shtesë që do të sigurojnë nga indeksimi i pensioneve që qeveria bëri së fundmi.
Korreshi tha në A2 CNN se indeksimi është një tallje e madhe me këtë shtresë nga kryeministri Edi Rama.
“Mazhoranca nuk po merret fare me pensionistët në gjykimin tim. Ai indeksimi që është bërë është një çështje vetëm sa për t’u tallur me pensionistët. Unë e kam bërë një përshkrim të atij 4 mijë lekëshit që është rritur pensioni. Me 4 mijë lekë të vjetra unë e sqarova në Parlament që merr një kile grosh dhe një tufë qepë të njoma në fund të muajit. Pra mund të merret një bukë, një shishe kos dhe katër kokrra vezë, por e bëra pak më ekspresive në Parlament”.
“Janë shtuar katër filxhanë kafeje. nga një në javë për pensionistët që është tallje. Jo vetëm nuk është rritur, indeksuar, por është dënuar pensionisti jonë pasi 17 mijë lekë të rimbursimeve të ilaçeve i janë hequr pensionistëve. De facto sot pensionisti ka 13 mijë lekë më pak në xhep dhe në raport me 2013, edhe pse është indeksuar pensioni, shohim se më parë me një pension shumë të ulët mund të blije më shumë produkte sesa sot. Pra nuk mjafton indeksimi i rrogës apo pensionit, pasi indeksimi duhet të bëhet në përputhje me rritjen e çmimeve. Kjo është situatë dramatike për pensionistët”, u shpreh Korreshi.
Sipas tij turet e takimeve që shefi i qeverisë ka ndërmarrë në të gjithë Shqipërinë me pensionistët janë derivat i pakënaqësisë në rritje në radhët e pensionistëve përkundrejt ekzekutivit.
“Tani ka plas gjylja e madhe pasi pensionistët duke parë indeksimin apo rritjen e rrogave të gjithë administratës shtetërore, patronazhistëve në përgjithësi, ata patjetër që ndihen keq se nuk arrijnë dot të kalojnë fundin e muajt, nuk arrijnë dot të ndezin dushin që të mbushin një bidon e ta mbajnë te këmbët. Kjo është tragjedia që ndodh me pensionistët”, deklaroi Korreshi.