Po mbahet sot mbledhja e komisionit për çështjet europiane ku po shqyrtohet në parim projektligji “Për Buxhetin e vitit 2025”, parashikuar për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Gjatë punimeve të komisionit ka pasur edhe një debat mes ministrit të Jashtëm Igli Hasani dhe deputetes së PD Jorida Tabaku, në lidhje me turin e kryeministrit Edi Rama në diasporë.
Zonja Tabaku u shpreh se në takimet e kreut të qeverisë jashtë vendit, janë përfshirë edhe ambasadorë, duke i quajtur këto takime në kuadër të fushatës elektorale, gjë që është kundërshtuar nga ministri, me argumentin se fushata elektorale nis në një kohë më të vonë.
“Dëgjova disa herë që përmendët fjalën “diasporë” dhe kjo lidhej me aktivitetet për diasporën, si dhe me rritjen e shpenzimeve të ministrisë suaj për këtë sektor, për shkak të shtimit të aktiviteteve. Prandaj, dëshiroj të nis këtë diskutim duke ngritur një shqetësim të madh që ka dalë në ditët e fundit. Disa ambasadorë shqiptarë, pjesë e shërbimit diplomatik, kanë qenë të pranishëm në aktivitete politike të organizuara nga qeveria shqiptare me qëllime partiake. Duke qenë se ju jeni një diplomat me përvojë, i cili e njeh shumë mirë shërbimin diplomatik, a ka ndonjë koment Ministria e Jashtme në lidhje me përfshirjen e ambasadorëve në procesin elektoral?
Në të paktën 48 raste, ambasadorët kanë shoqëruar ministrin, kryetarin e bashkisë ose kryetarin e shtetit në aktivitete ku është sulmuar opozita, pa asnjë arsye të ligjshme për praninë e tyre. Për mua, ka një kufi që nuk duhet kaluar, dhe përfaqësuesit diplomatikë nuk duhet të jenë pjesë e aktiviteteve partiake. Kemi numëruar 48 raste që lidhen me këtë problem.
Tani kalojmë tek pikat e tjera
Në emër të anëtarëve të këtij grupi, shpresoj që kapitujt e tjerë të ndahen më herët sesa ndodhi me grupkapitullin e parë. Kjo është e padrejtë, pasi nuk kemi ndarje në këtë proces dhe nuk ka arsye që këto veprime të kryhen për sy e faqe. Së dyti, a është i përfshirë në koordinimin e procesit gjithë stafi që ka punuar për klasterin 6, siç ishte për klasterin 1? Kjo për shkak se kemi një listë prioritetesh dhe detyrash për t’u kryer sipas pozicioneve negociuese. A reflektohen ato në buxhet? Për më tepër, nuk arrij të kuptoj nëse stafi negociues për kapitullin 6 është përfshirë gjithashtu në ndërtimin e buxhetit për pjesën e integrimit.
Sa i përket diplomacisë ekonomike, a ka ndonjë strategji të veçantë që po ndiqni? Dëgjova për ambasadën në Indi, e cila është një prioritet për periudhën e ardhshme, edhe pse më parë kemi pasur një përfaqësi në Indi që është mbyllur. Prandaj, jam e interesuar të kuptoj se si është procedura për hapjen e ambasadave dhe si lidhet kjo procedurë me prioritetet e diplomacisë ekonomike dhe me bordin e eksporteve.
Kam ngritur shqetësime se si funksionon struktura e negociatave. Ju drejtoni Ministrinë e Evropës, dhe gjithashtu kemi një kryenegociatore, së bashku me një strukturë tjetër për menaxhimin e fondeve, të cilat më duken të vështira për t’u koordinuar. A kemi një plan për të ndryshuar strukturën dhe skemën për këtë çështje?
Lidhur me planin e rritjes, kemi një dokument të qeverisë shqiptare dhe një dokument të Komisionit Evropian mbi vlerësimin e këtij plani. Megjithatë, deri më tani nuk kemi një agjendë ekonomike të publikuar nga qeveria shqiptare, as një listë administrative për planin e rritjes. Është e nevojshme të fillojmë një diskutim për planin e rritjes. Duhet të kemi mundësinë të shohim aktivitetet e përfshira në buxhet dhe indikatorët e këtyre projekteve; prandaj habitem pse mungojnë këto projekte në buxhet.
A ka një strukturë të veçantë që do të merret me planin e rritjes dhe zbatimin e tij? A është e përfshirë drejtoria e koordinimit të fondeve dhe a është rritur kapaciteti për përthithjen e fondeve, sidomos duke marrë parasysh situatën me fondet e donatorëve?
Së fundi, kam ngritur një shqetësim lidhur me zbatimin e MSA-së, një çështje që ju e njihni mirë. A jeni në dijeni se vitin e kaluar janë përafruar vetëm 12 ligje? Kur kërkova agjendën, e bëra për të diskutuar mbi planin e rritjes, agjendën ekonomike dhe përafrimin e legjislacionit në përgjithësi. A mendoni se sot duhet të ishim duke debatuar për ligjet e përafruara, për grupet e interesit që duhej të ishin përfshirë dhe ndikimin e tyre në ekonomi, në vend që të ndjekim thjesht propagandën?”, tha ajo.
Ministri Hoxha nuk i pranoi kotë pretendime, duke shtuar se takimet e Ramës kanë qenë ato të një kryeministri me shqiptarët jashtë vendit.
“Nuk jemi në fushatë elektorale. Ajo hapet më vonë. Nuk ka pasur asnjë aktivitet partiak apo politik në këto takime, pasi kanë qenë takime që kryeministri ka zhvilluar me përfaqësues të diasporës, në vendet e BE, SHBA dhe Angli, por nuk është përdorur asnjë parullë, poster apo batuta politike dhe thirrje. Kanë qenë takime me diasporën, për të ardhmen, europën, progresin dhe të mirat për shqiptarët. Për asnjë moment s’është folur për pjesë programi partiak. Ata kanë shoqëruar kryeministrin dhe kanë detyrim si ambasadorë”, tha Hasani.
Një përgjigje e tillë është kundërshtuar nga Tabaku, e cila deklaroi se nuk mund të quhen jo partiake dhe politike takimet, kur i pranishëm është edhe Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste Blendi Klosi, dhe në fjalimet e kryeministrit flitet 25 minuta pa ndërprerje për kundërshtarin politik.
Nga ana e tij, Klosi i cili ishte i pranishëm në komision, ka replikuar duke u shprehur se ka pasur takime me diasporën, me shqiptarët dhe trupi diplomatik e ka detyrim t’i mbështesë e të marrë pjesë në këto aktivitete.
“Aktivitetet janë bërë jashtë orarit zyrtar dhe edhe shërbimi diplomatik ka lejen të marrë pjesë në to. Janë aktivitete diaspore dhe jo politike. Ju kërkoj dhe ftoj edhe ju të bëheni pjesë sepse diaspora i takon popullit shqiptar, të gjithëve Shqipërisë. Edhe ju keni të drejtën e votës së diasporës, pjesë e pandarë e fushatave tona elektorale. Edhe ju keni caktuar përfaqësues për Diasporën”, tha Klosi.