“Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur Sky Ecc dhe Encrochat”/ Grupi i PD-së propozon ndryshime në rregulloren e Kuvendit

Shqipëria

“Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur Sky Ecc dhe Encrochat”/ Grupi i PD-së propozon ndryshime në rregulloren e Kuvendit

Më: 11 nëntor 2024 Në ora: 18:31
Kuvendi i Shqipërisë

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar një ndryshim në Rregulloren e Kuvendit, duke kërkuar që çdo deputet të vetëdeklarojë nëse ka përdorur aplikacionin “SKY ECC ose ENCROCHAT”. 

Sipas Grupit të Partisë Demokratike, kjo iniciativë vjen pasi  nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese evropiane, ka rezultuar se gjuha shqipe është gjuha e dytë më e përdorur në aplikacionet e enkriptuara SKY ECC dhe ENCROCHAT, me rreth 16 mijë përdorues shqiptar.

Sipas PD, hetimet kanë zbuluar se përdorues të këtyre aplikacioneve nuk kanë qenë vetëm anëtarë të grupeve kriminale, por edhe funksionarë të lartë publik shqiptar, përfshirë funksionarë të Policisë, organeve të drejtësisë, pushtetit vendor dhe qendror.

“Hetimet kanë zbardhur komunikimet e një deputeti të Partisë Socialiste me grupe dhe eksponentë të krimit të organizuar. Nga të dhënat e përftuara nga këto komunikime ka rezultuar se eksponentë të krimit të organizuar kanë ndërhyrë në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste për të përcaktuar pozicionin e këtij deputeti në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste dhe për të siguruar vota në bashkitë Durrës dhe Shijak, me qëllim zgjedhjen e tij. Deputeti nga ana e tij ka siguruar të dhëna sekrete dhe ka ndërhyrë në organet e drejtësisë me qëllim favorizimin dhe moskapjen e eksponentëve të krimit të organizuar”- thuhet në relacionin shoqërues.

Në propozimin që mban firmën e Gazment Bardhit, argumentohet se nga burime të ndryshme mediatike janë hedhur dyshime serioze se rezultojnë komunikime edhe të deputetëve të tjerë me eksponentë të krimit të organizuar, për kryerjen e aktiviteteve të paligjshme.

“Këto dyshime ngrejnë pikëpyetje mbi integritetin, etikën dhe besueshmërinë jo vetëm të deputetëve, por edhe të vetë institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka për funksion themelor të sigurojë përfaqësimin dinjitoz të qytetarëve dhe një proces ligjbërës të udhëhequr nga interesi publik. Ekzistenca e komunikimeve në aplikacionet e enkriptuara, që dihet botërisht se përdoreshin nga grupet kriminale, me qëllim ushtrimin e aktiviteteve të paligjshme, dëmton rëndë reputacionin dhe kredibilitetin e deputetëve dhe Kuvendit të Shqipërisë.” – thuhet në relacionin shoqërues

Në propozim, Grupi Parlamentar i Partisë Demorkatike, jep edhe modelin e formularit të vetëdeklarimit që deputetët duhet të plotësojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat