Debatet në komisionin hetimor për shëndetësinë në Shqipëri kanë zgjatur për rreth 9 orë të martën, ku në mbledhjen e sotme ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, dëshmoi lidhur me koncesionin e sterilizimit.
Beqaj kërkoi nga kryetarja e komisionit, Albana Vokshi, që t’i ofrohej logjistika e nevojshme për një deklaratë me materiale audio-vizive, pasi donte ta ilustronte me foto dhe video. Megjithatë, Vokshi sqaroi se nuk dispononin pajisjet e nevojshme dhe i kërkoi që të vazhdonte dëshminë pa ilustrime.
Pas orësh të gjata diskutimesh PD dhe PS nuk arritën konsensusin për dëshminë e ish-ministrit Ilir Beqaj. Me kërkesë të nënkryetarit socialist, Plarent Ndreca, mbledhja u shty për nesër në orën 10:00.
Opozita nuk ishte dakord që Beqaj të prezantonte me power point, ndërsa akuzoi PS se ishte një skenar për të penguar dëshminë e tij.