Zgjedhja e Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës duket se solli një transformim të papritur në strategjitë politike të shumë liderëve botërorë, duke përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama dhe njerëzit e tij të ngushtë. Mësohet se në prapaskenë Edi Rama dhe enturazhi i tij kanë mbështetur hapur fitoren e demokratëve, duke besuar se Kamala Harris do të merrte drejtimin e Shtëpisë së Bardhë dhe se sipas tyre, ky do të ishte një moment politik që do të forconte lidhjet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke favorizuar më tej axhendën liberale dhe progresiste të të dyja palëve.
Për këtë arsye, veprimet e fshehta dhe mbështetjet e kryeministrit Rama u përqëndruan në angazhime simbolike për një fitore të demokratëve, nisur nga sondazhet që i nxirrni triumfues, duke përfshirë një promovim të librit të Kamala Harris në Tiranë, ku parathënia ishte shkruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama. Megjithatë, kur surpriza “Trump” ndodhi, dhe ky i fundit u zgjodh president, entuziazmi i Ramës dhe i njerëzve të tij u shua, teksa i la ata përballë një realiteti të hidhur, të cilin, duket se, nuk e kishin parashikuar.
Mesazhi
Rama, një mbështetës i hapur i Xhorxh Soros dhe politikave të tij të globalizmit dhe liberalizmit ekonomik, tani duhet të përballet me një administratë të re amerikane, që e cilëson filantropin si armik dhe konsideron rrezik. Ky fakt do të ketë pasoja të mëdha për marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara, dhe mund të bëhet një goditje e fortë për kryeministrin dhe për politikat që ai ka mbështetur, ashtu si dhe për lidhjet e tij të ngushta me qarqet financiare dhe lobiste të Sorosit. Në këtë kontekst, promovimi i librit të Kamala Harris “Të vërtetat që mbartim”, nga Linda Rama në Tiranë ishte një simbol i përgatitjeve të enturazhit të kryeministrit për një fitore të demokratëve.
Parathënia e Lindës, e cila shërben si një akt i dukshëm mbështetjeje për Harris, e tregon qartë se si Rama dhe njerëzit e tij ishin të bindur se ky do të ishte kyçi i ardhshëm i zhvillimeve politike, jo vetëm në SHBA, por edhe në Shqipëri. Sidoqoftë, ajo që duket si një mbështetje e pafajshme për librin e Harris dhe një lidhje me një agjendë progresiste, tani shndërrohet në një mbështetje që ka humbur terrenin nën këmbët e Ramës, pas fitores së Trump. Gjithë kjo përgatitje iu iku dëm, paçka se kryeministri Rama bën sikur është besnik dhe i lumtur që Trump u zgjodh presidenti.
Fitorja e Trump, e cila është në kontrast të drejtpërdrejtë me pikëpamjet e Ramës, mund të sjellë goditje të forta për politikat e tij të brendshme dhe të jashtme. Pra kjo tregon se si kryeministri dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama, ishin të gatshëm të investoheshin emocionalisht dhe politikisht në fitoren e Kamala Harris, duke besuar se ajo do të përfaqësonte një rrymë të re politike që mund të favorizonte politikat progresive të Shqipërisë. Por, me zgjedhjen e Donald Trump si presidenti i Amerikës, që është një kundërshtar i fortë i Sorosit, nuk ka dyshim se kjo situatë do t’i sjellë zotit Rama dhe enturazhit të tij një periudhë të pasigurisë politike dhe një përballje të re me sfidat që nuk i kishin parashikuar. Tashmë, Edi Rama dhe njerëzit e tij do të duhet të përshtaten me këtë realitet të ri dhe të mendojnë për mundësitë e tyre për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe aleancat ndërkombëtare që kanë pasur deri tani.
Promovimi i librit të Harris
Ndërkohë theksojmë se “Të vërtetat që mbartim” libri i shkruar nga zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris vjen në shqip. Libri u promovua dje në Tiranë, me parathënie nga Linda Rama, bashkëshortja e Kryeministrit Edi Rama. Gjatë promovimit në Qendrën Kombëtare të Leximit dhe Librit, Linda Rama tregoi përjetimet e saj ndërsa lexonte librin e shkruar nga Harris, kandidatja demokrate që humbi në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA. “Karriera e Kamalës ishte kaq graduale, kaq logjike dhe domethënëse sa herë-herë kisha nota mosbesimi dhe thoja është një manual se si duhet të jetë një prokuror apo një guidë si duhet të jetë një politikane. Asnjëherë nuk më erdhi si një grua që në fakt rrënjët e saj biologjike, shoqërore dhe sociale i kishte te grupet vulnerabël të shoqërisë. Ajo nuk kishte asnjë lloj vunerabiliteti në libër. Mua Kamala më vinte me fuqinë e saj nga libri i shkruar në vitin 2018. Kamala nuk do të hyjë në Zyrën Ovale. Gjërat erdhën ashtu siç e donte populli amerikan. Dhe kjo është bukuria e demokracisë që popujt të vendosin dhe tranzicioni ynë i 30 viteve na ka mësuar se populli nuk gabon”, deklaroi dje Linda Rama.