Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja u thirr këtë të premte për t’u marrë në pyetje nga prokurori Adnan Xholi, pas arrestimit të tij më 21 tetor. Prokuroria ka ngritur tre akuza ndaj Çyrbjas, duke përfshirë “Tregimin e sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer më tepër se një herë, “Përkrahja e autorit të krimit”, dhe për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Sipas akuzës, Çyrbja dyshohet se ka informuar Altin Hajrin dhe individë të tjerë të shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për operacionet e mundshme policore në qytetin e Durrësit. Në këmbim të këtij informacioni, Çyrbja kërkonte mbështetje me vota për kandidimin e tij në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 në qarkun e Durrësit.
Për të njëjtën çështje, SPAK ka lëshuar urdhër arresti edhe për Ahmet Mashën, ndërsa Altin Hajri është shpallur në kërkim dhe po gjykohet në GJKKO për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Ndërkohë, në seancën e mbajtur në shkallën e parë, Çyrbja ka mohuar akuzat e ngritura, duke përjashtuar përdorimin e aplikacionit të koduar SKY ECC, që prokuroria pretendon se është përdorur për të kryer komunikimet e dyshimta. Çështja është në vazhdim dhe mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet procesi gjyqësor në ditët dhe javët e ardhshme.