Diplomati dhe veprimtari i shquar shqiptar Shaban Murati në një status në profilin e tij në Facebook ka komentuar festat që po festohen në Shqipëri për ditët e çlirimit të qyteteve të saj.
Murati e konsideron si të nevojshëm një reflektim më të thellë mbi historinë dhe mënyrën se si ajo është shpalosur në kujtesën kolektive.
Diplomati Shaban Murati, me një qasje të qartë dhe të arsyeshme, na kujton se shumë nga këto festime nuk janë përkujtime të betejave të vërteta, por thjesht ditë kur partizanët hynë në qytetet shqiptare që ishin tashmë të çliruara nga pushtuesit gjermanë.
Postimi i plotë:
Korrigjim historik i nevojshëm
Unë e kuptoj nevojën e regjimit të kaluar për të hiperbolizuar luftërat dhe betejat me pushtuesit gjermane në çdo qytet të Shqipërisë. Në këtë dalldi nisi shumë vonë fushata dhe mania e festimeve të çlirimit të gjithë qyteteve shqiptare, të mëdha e të vogla, nga pushtuesi gjerman.
Një narrative historiko - euforike e pavërtetë. Me përjashtim ndoshta të Tiranës. Datat e çlirimit të qyteteve shqiptare, që po festohen me vrull gjithandej, janë data të hyrjes se partizaneve në qytetet shqiptare, ku nuk kishte këmbë gjermani. Asnjë gjerman nuk kishte neper qytete se ata kishin marre urdhrin të largoheshin të gjithë nga Shqipëria. Nuk pati asnjë beteje dhe asnjë luftë për çlirimin e qyteteve pa pushtues. Nuk pati asnjë dëshmor në ditën e çlirimit të qyteteve.
E vërteta historike duhet thënë siç ka qenë dhe jo siç e ka vulosur historiografia e realizmit socialist. Kjo nuk e zbeh rëndësinë luftës nacional-çlirimtare të popullit shqiptar kundër pushtuesve fashistë e nazistë.
Por fare mire mund të thuhet se po festojmë ditën e hyrjes së partizaneve në qytete, se sa të mashtrojmë fëmijët me çlirimet e pa ndodhura të qyteteve tona.