Incidenti me Belerin në Tiranë, presidenti i PPE letër Ramës: Nuk janë marrë masa për ta parandaluar aktin

Shqipëria

Incidenti me Belerin në Tiranë, presidenti i PPE letër Ramës: Nuk janë marrë masa për ta parandaluar aktin

Më: 15 nëntor 2024 Në ora: 13:26
Presidenti i Partisë Popullore Evropiane, Manfred Weber, i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama

Presidenti i Partisë Popullore Evropiane, Manfred Weber, i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, ku ka dënuar sulmin me vezë dhe kos ndaj eurodeputetit Fredi Beleri, i cili ndodhi më 29 tetor pranë Kryesisë së Kuvendit, gjatë pjesëmarrjes së tij në takimet e Delegacionit të Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.

Weber thekson në letrën e tij se sulmi ndaj Belerit, i cili ka statusin diplomatik si anëtar i këtij delegacioni, ishte një veprim i papranueshëm, i cili përfshiu dhunë verbale dhe fizike nga një protestues gjatë daljes së eurodeputetit nga Kuvendi i Shqipërisë.

Po ashtu, ai shtoi se ky incident është një dështim i shtetit pritës në garantimin e sigurisë dhe integritetit të një përfaqësuesi të Bashkimit Evropian, dhe shprehet i shqetësuar për mungesën e masave mbrojtëse adekuate në rastin konkret. Ai nënvizoi se incidenti mund të ishte parandaluar, nëse autoritetet shqiptare do të kishin marrë masat e duhura të sigurisë për misionin zyrtar të Belerit.

Weber i bëri thirrje kryeministrit Rama që të sigurohet se ngjarje të tilla nuk do të ndodhin më në të ardhmen dhe se angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë do të respektohen në kuadër të procesit të integrimit në BE.

“Ky sulm përbën një dështim të shtetit pritës dhe, nëse do të ishin marrë masa sigurie, ai mund të ishte shmangur. E dënoj fuqishëm këtë incident dhe kërkoj që të siguroheni që incidente të ngjashme të mos ndodhin më, duke respektuar angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë,” përfundoi Weber.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat