Reportazhi/ Shtegu si në përralla nga Velivari në Rabdisht në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Shqipëria

Reportazhi/ Shtegu si në përralla nga Velivari në Rabdisht në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Më: 16 nëntor 2024 Në ora: 08:49
Velivari

Maja e Velivarit në vargmalin e Deshatit ndodhet në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Për ta arritur këtë majë mund të nisësh nga disa drejtime, por këtu do të tregojmë rrugëtimin që nis nga fshati Katund i Vogël në Dibër.

Deri në nisje të shtegut arrin lehtë me makinë të zakonshme, pasi rruga është e asfaltuar. Ndërsa nis ngjitjen poshtë fillojnë e shfaqen fshatra të vegjël të zonës dhe kur merr një farë lartësie shfaqet edhe Peshkopia.

Qielli është shumë i kaltër për një ditë nëntori.

Ndërsa shtegu gjarpëron në udhën e mushkave drejt staneve në lartësi, ngjyrat e vjeshtës duken si qëndisje shumëformëshe në shpatet e maleve përreth. Shtegu ngjitet e ngjitet deri sa stani i parë të del përpara. Tashmë askush nuk ndodhet më aty, as njerëz e as bagëti, por gjurmët dallohen qartë në stan. Me nisjen e të ftohtit, barinjtë i zbresin kafshët poshtë në fshatra.

Nga pak më larg dëgjohet zhurma e ujit, një përrua ndodhet aty afër dhe drejtimin e tregojnë tubat që sjellin ujë në stan. Shtegu lë pas përroin dhe futet në pyll, që në këtë stinë ia kalon fantazisë së çdo piktori.

Pas stanit të dytë përpara del mali i vërtetë, shpate të pjerrëta me vetëm bar të tharë nga vera. Ngjitja shpërblehet kur arrin majën dhe gjithçka përreth teje nuk ka lidhje me asgjë të jetës së përditshme. Maja malesh njëra pas tjetrës, horizont i larë në dritë të bardhë dhe bjeshkë që shtrihen pa kufij në të gjitha anët.

Në majë ndodhet edhe një grup hiking nga Maqedonia e Veriut që ka arritur përpara nesh. Përshëndetjet variojnë në shqip, maqedonisht e anglisht.

Velivari ndodhet në kufi dhe zbritja nis në drejtim të kundërt. Aty takojmë tabelat e para të shtegut të shenjuar, Qafa e Hinoskës ashtu si e njohin Velivarin në anën tjetër të kufirit. Pasi kalon qafën futesh në një shteg të hapur dhe të drejtë përmes bjeshkëve me bar të tharë, mes maja malesh, ndërsa dielli ka nisur të anojë në perëndim.

Jemi në kufirin mes dy shteteve e shquhet qartë brezi i butë që shërbente dikur për të kapur shkelësit. Duke ecur biseda vërtitet tek kalimet e kufirit, si në kohën e komunizmit ashtu edhe në vitet e para pas ndryshimit të sistemit kur shumë shqiptarë kaluan kufirin përmes maleve në këmbë. Tanimë tabelat e kufirit shtetëror ndodhen aty por askush nuk shqetësohet.

Ngjyrat e perëndimit pasqyrohen në faqet e maleve duke krijuar atmosferë të magjishme. Shtegu është pjesë e High Scardus dhe kryqëzohet sipër Rabdishtit, fshat i Dibrës. Një shteg të zbret të fshat, tjetri të nis sërish në rrugëtim drejt bjeshkëve të Gramës pjesë e vargmalit të Korabit.

Shtegu High Scardus Trail është një shteg i gjatë me 20 etapa ditore përmes maleve të paprekura të Ballkanit Perëndimor nga Kosova përmes Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut. Kjo pjesë e rajonit mban të fshehur një pjesë të historisë evropiane dhe tashmë ky shtegtim u jep mundësi të apasionuarve të njohin trashëgiminë e kësaj toke dikur të izoluar.

Shumë nga shtigjet që përdoren sot janë ndërtuar fillimisht nga karvanet romakë në shekullin e dytë pas Krishtit.

Banorët e zonës thonë se shtegu u hap fillimisht nga të apasionuarit pas biçikletave që pedalonin në lartësinë e maleve.

Për gati 10 kilometra pothuajse shtegu shkon paralel me majat e maleve duke të dhënë përshtypjen e një udhëtimi në hapësirë. Pas çdo kthese përballesh me një peizash të ndryshëm, ndërsa shpatet e maleve i lënë vendin njëri-tjetrit.

Më pas shtegu nis të zbresë drejt Rabdishtit, duke kaluar nëpër një ahishte që në pjesën më të madhe i ka rrëzuar gjethet por ato janë ende aty duke i dhënë tokës ngjyrë të kuqërremtë.

Dielli tashmë po perëndon krejt. Rrezet e tij të fundit shtojnë koloritin e peizazhit, ndërsa pylli duket si i magjepsur.

Rabdishti nuk është më pak i magjishëm se sa rruga nga vijmë. Pasi kalon përroin e fshatit futesh mes kullave të larta prej guri dhe rrugëve të shtruara me kalldrëm. Tashmë është errësirë dhe nuk ka njerëz në rrugë edhe pse zërat ndihen pas portave të mbyllura. Edhe një bujtinë që punon gjatë stinës me më shumë vizitorë është e mbyllur. Temperaturat kanë rënë dhe i ftohti nis të ndihet.

Lodhja nis të ndihet po ashtu, por askush nuk flet për të. Të gjithë duket se po thurin “përrallën” e tyre për ta treguar në shtëpi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat