Fluks vizitorësh në kalanë e Lezhës, 74,2% më shumë se në 2023-shin

Shqipëria

Fluks vizitorësh në kalanë e Lezhës, 74,2% më shumë se në 2023-shin

Më: 16 nëntor 2024 Në ora: 09:51
Kalaja e Lezhës

Me mbylljen e sezonit turistik maj-tetor 2024 nuk është ndalur fluksi i vizitorëve në sitet e trashëgimisë kulturore.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, njoftoi se kalaja e Lezhës, në 10-mujorin 2024, prej 1 janarit-31 tetor 2024, është vizituar nga 7371 persona.

“Kjo shifër shënon një rritje prej 74,2% nga viti i kaluar, duke qëndruar në krye të listës së siteve dhe monumenteve të vendit tonë”, shkroi DRTK Shkodër në rrjetet sociale.

Megjithëse zyrtarisht sezoni turistik është mbyllur, kushtet e motit kanë favorizuar deri më tani vizitat turistike nëpër objekte të ndyshme si kala, parqe arkeologjike apo muze, të vizitorëve që dëshirojnë të njihen me bukuritë dhe lashtësinë.

Sa i përket kalasë së Lezhës, pranohet nga të gjithë, se fillimi i ndërtimit i përket shekullit të 8-të. Kalaja ka njohur shumë faza ndërtimi, për të ardhur në atë të fundit të vitit 1520, nga sulltan Selimi I. Në literaturën historike dhe arkeologjike kalaja e Lezhës njihet për një kohë të gjatë me emrin Kështjella e Elisonit.

Ajo ka tre porta të cilat ishin mjaft të mbrojtura nga kulla e kthina të maskuara, të cilat të favorizuara nga pozicioni gjeografik e bënin atë të pamposhtur. Në vitin 2002 pas restaurimit të themeleve të kalasë mesjetare u vu re se trashësia e mureve arrinte deri në 4.30 m, nga 3.50 m trashësi që mendohej të ishte më parë. Deri më sot janë zbuluar 12 porta dhe 48 kulla mbrojtëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat