Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu tha sot se në përmbushje të detyrimeve ndaj NATO-s, vendi ynë është i angazhuar për të forcuar sigurinë detare përmes operacioneve të ndalimit detar dhe kërkim-shpëtimit.
Sar Response 2024″ dhe “Flotex 2024″ janë stërvitje të përvitshme që shërbejnë për të rritur bashkëpunimin dhe gatishmërinë e Forcës Detare/Rojës Bregdetare në misionet detare.
“Përmes tyre, testohen aftësitë dhe kapacitetet për përballimin e sfidave në sigurinë detare, duke përfshirë operacionet e ndalimit detar dhe kërkim-shpëtimit (SAR). Këto trajnime janë një hap i rëndësishëm për të forcuar ndërveprueshmërinë mes flotiljeve tona dhe për të garantuar sigurinë e lartë në Adriatik, Jon dhe Mesdhe. Forca Detare/Roja Bregdetare vazhdon angazhimin për mbrojtjen dhe sigurinë e ujërave tona, duke kontribuar në përmbushjen e detyrimeve në kuadër të NATO-s”, tha ministri në një postim në rrjetet sociale.
Ministri i Mbrojtjes, muajin e kaluar zhvilloi një vizitë në bordin e një prej anijeve të flotës luftarake italiane të ankoruara në brigjet shqiptare, ku u prit nga komandanti i Forcave Detare italiane, admirali Enrico Credendino.
Vengu bëri të ditur se temë e takimit ishte siguria e përbashkët në Adriatik, me fokus në misionet e përbashkëta në kuadër të bashkëpunimit dypalësh.