Tirana feston 80-vjetorin e çlirimit, Spiropali: Shqipëria, sot në anën e duhur të historisë, duke zgjedhur dritën mbi errësirën

Shqipëria

Tirana feston 80-vjetorin e çlirimit, Spiropali: Shqipëria, sot në anën e duhur të historisë, duke zgjedhur dritën mbi errësirën

Më: 17 nëntor 2024 Në ora: 12:20
Elisa Spiropali

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, vendosi një kurorë dhe përshëndeti në ceremoninë e 80-vjetorit të çlirimit të Tiranës.

Në fjalën e saj, Kryetarja Spiropali u shpreh se Shqipëria europiane i ka rrënjët në Shqipërinë antifashiste, ndërsa theksoi se Çlirimi i Tiranës është prelud lavdie i luftës antifashiste shqiptare.

Sakaq ajo u shpreh se Shqipëria është rreshtuar sot në anën e duhur të historisë, duke zgjedhur dritën mbi errësirën, të drejtën përpara forcës së egër, lirinë dhe sakrificën për liri bazuar në vlerat më të mira të njerëzimit.

Fjala e plotë e Spiropalit:

“Historia është më tepër se një datë dhe më shumë se një akt! E gjykuar si fotografi e shkrepur në një cast, historia mbetet vetëm si perceptim dhe jo si një skedar ku shpesh bashkëjetojnë të vërteta që përjashtojnë njëra-tjetrën, ku cfarë duket e mirë nga njëri kënd, është e mbrapshtë nga këndi tjetër, cfarë është triumf për njërin, është disfatë për tjetrin.

80 vitet që kanë kaluar nga dita e largët e 17 nëntorit 1944 kur partizanët krenarë dhe patriotë nacionalistë, vajza dhe djem me besim tek e ardhmja që po lindte nga rrënojat e të vjetrës, larguan nazistët gjermanë nga kryeqyteti ynë. Ajo ditë ishte një prelud lavdie i luftës antifashiste shqiptare sic po ndodhte kudo në Evropë e gjetkë, një akt i fitores së pritshme të koalicionit historik ndërkombëtar kundër nazifashizmit.

Nderim dhe mirënjohje pafund atyre bijave dhe bijve të këtij vendi që ju përkushtuan ëndrrës për një Shqipëri të lirë e të pavarur, të bashkuar pa dallim feje, krahine e ideje, njëlloj si bashkëmoshatarët e tyre kudo në Evropë e botë, të bashkuar në luftë kundër murtajës nazifashiste që kërcënonte thelbin e qytetërimit njerëzor.

Lavdi të përjetshme të gjithë atyre që në ato ditë të errëta patën vizionin të ndriçoheshin nga e vërteta e madhe e luftës për liri dhe u shndrruan në barrikada, sic ndodhi edhe këtu në rrugën e Barrikadave 80 vjet më parë për t’i thënë jo zaptimit, jo robërimit, jo thundrës së huaj!

Nga ato ditë epike, kronikat e kohës, gjymtimet në dy simbolet e qytetit tonë: kullën e sahatit dhe minaren e xhamisë së Ethem Beut, dëshmuan se mbi gërmadhat e vjetra po realizohej shpresa e re.

Ndërkohë, fatkeqësisht, fantazma e një muri të ri po i qasej frikshëm Evropës. Si një perde e zezë per ta ndarë atë nga veriu në jug, nga lindje në perëndim në dy botë armiqësore.

Shorti i lig bëri që Shqipëria të mbetej në anën e gabuar të asaj perdeje.
Një pjesë e heronjve tradhëtuan besimin dhe shpresën; një pjesë e shqiptarëve e bënë Shqipërinë burg per shqiptarë të tjerë duke zënë fill dramat dhe tragjeditë e pafundme njerezore me së paku tre breza që luajtën në teatrin e madh të jetës, burgun e madh, ku njelloj të burgosur mbetën dhe vetë gardianët!

Por thelbin e luftës nuk e ndryshon dot asnjë hero i kthyer në tradhetar apo tradhëtar që rreket të bëjë heroin. Asokohe, zgjedhja e kampit luftarak ishte një zgjedhje që ndante dy botë. Shqipëria u bashkua pa mëdyshje me aleancën e fuqishme antifashiste duke ndjekur busullën e pagabueshme të diktuar nga morali patriotik dhe detyra ndaj atdheut.
Antifashizmi ësbtë një nga vlerat më të mëdhaja të qytetërimit evropian të së shkuarës së afërt dhe një nga garancitë më solemne të së ardhmes.

Lufta për Tiranën dhe clirimi i gjithë Shqipërisë është një testament historik, një busull morale për orientimin e shoqërisë shqiptare për të bërë zgjedhjet e duhura në këto kohë serish dramatike për njerëzimin. Shqipëria është rreshtuar sot në anën e duhur të historisë, duke zgjedhur dritën mbi errësirën, të drejtën përpara forcës së egër, lirinë dhe sakrificën për liri bazuar në vlerat më të mira të njerëzimit.

Shqipëria europiane, të cilës i jemi përkushtuar me premtimin se për pak vjet do ta bëjmë pjestare të Bashkimit Europian, është padyshim, pjesë e këtij testamenti historik me rrënjët në Shqipërinë antifashiste.
Lavdi dëshmorëve dhe martirëve! Lavdi atyre që e deshën Shqipërinë më shumë se veten dhe gjithçka tjetër.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat