Trafikonin dhe përpunonin kokainë në një laborator droge në Fushë Krujë, ja kur do të jepet masa e sigurisë për 10 të arrestuarit

Shqipëria

Trafikonin dhe përpunonin kokainë në një laborator droge në Fushë Krujë, ja kur do të jepet masa e sigurisë për 10 të arrestuarit

Më: 17 nëntor 2024 Në ora: 12:58
Foto ilustrim

Ditën e nesërme, në orën 09:30 do të mbahet seanca gjyqësore për 10 personat e arrestuar të dyshuar si trafikantë droge dhe grup i strukturuar kriminal, të cilët nga një hetim një vjeçar i SPAK rezultojnë se bënë gati infrastrukturën për të përpunuar një ngarkesë të madhe kokaine e sjellë nga Amerika Latine.

Në total SPAK deklaron se sekuestroi 48 tonë, të tretur në 850 lëkurë të kriposura që ishin importuar në Shqipëri. Për ta nxjerrë përmbajtjen narkotike nga lëkurë e gjethëve udhëtuan drejt kryeqytetit shqiptar 3 shtetas të huaj, dhe konkretisht kolumbiani Hiulen Narvarez, Joze Vasquez dhe Samuel Serrano nga Venezuela.

Se sa është ngarkesa e kokainës pritet të llogaritet nga ekspertët e hetimit, ndërsa në investigimin penal bashkë me SPAK u përfshinë edhe agjencitë e huaja mes tyre edhe DEA.

Hetimi i narkotrafikut u kryesua nga prokurori Adnan Xholi, ndërsa zyrtarisht thuhet se u bllokuan edhe gati 6 kilogramë kokainë dhe përzierës që do të shërbenin për procesin. Grupi i identifikuar mes tyre financues dhe me role të qarta në trafik përbëhet nga Geis Fejsullai, Klajd Birce, Albi Zonja, Artion Caushllari, Endi Sejdini, Ismail Abdurramani dhe Baki Huqi.

Ata hapën një kompani për futjen e lëkurëve të gjethëve, duke e regjistruar në emër të një shtetasi që rezulton i paimplikuar në trafik dhe përmes saj futën ngarkesat, të cilat u shpërndanë në dy pika, njëra pak kilometra larg Tiranës.

SPAK e konsideron nivelin e bashkëpunimit me trafikantët e huaj që do të kryenin ekstratimin e kokainës të një niveli të lartë organizimi  që do të realizohej me një teknologji të avancuar. Ndërkohë që vendosja e laboratorëve në afërsi të aeroportit dhe të portit të Durrësit u krye me qëllim transportin e shpejtë të kokainës.

Mes provave të sekuestruara numërohen edhe dhe 57 milionë peso kolumbianë dhe 36 mijë euro. Ndërsa SPAK e ka të qartë se rolet e të dyshuarve ishin të ndara duke përfshirë financimin, transportin nga vendet e Amerikës Latine, përpunimin dhe futjen në tregjet e Evropës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat