Zbardhen detaje nga megaoperacioni i SPAK ku në pranga kanë rënë 10 persona, 7 shqiptarë në rolin e financuesve dhe organizatorëve të trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe 3 shtetas latin, 1 kolumbian dhe 2 venezuelas në rolin e “ekspertëve” që do të ekstraktonin/nxirrnin drogën nga lëkura e kriposur e kafshëve.
Në të dyja rastet e ngarkesave me lëkurën e kafshëve, që janë importuar në Shqipëri, në shtator dhe pak ditë më parë, SPAK ka qenë në dijeni duke gjurmuar “mallin”. Ngarkesat janë nisur nga një vend i Amerikës Latine, kanë bërë transit në portet Italiane e më pas kanë mbërritur në Shqipëri.
Në lëkurat e bagëtive të sekuestruara dyshohet se janë fshehur qindra kilogram kokainë e pastër e cila pasi të përpunohej në Shqipëri do t’i rritej volumi.
SPAK në bashkëpunim me autoritetet e huaja i ka lënë qëllimisht ngarkesat të futen në vend për të parë ku do të shkarkoheshin dhe mbërritja e tyre përkon me ardhjen në Shqipëri dhe të ekspertëve Kolumbian e nga Venezuela. Hetimet vazhdojnë edhe për persona të tjerë të përfshirë, që mund të jenë pjesë e grupit si të dërguar në vendet e Amerikës latine për të organizuar nisjen dhe bërë pagesat e drogës, kompanitë që janë përdorur apo që kanë bashkëpunuar me grupe kriminale të huaja.