Basha: Pensionistët shqiptarë viktimat e keqqeverisjes së Ramës

Shqipëria

Basha: Pensionistët shqiptarë viktimat e keqqeverisjes së Ramës

Më: 18 nëntor 2024 Në ora: 12:50
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka akuzuar qeverinë se po përdor pensionistët si mjet për lëmosha elektorale. Në një video të postuar në facebool, Basha shkruan se ekonomia shqiptare është shndërruar në një mjet përfitimi për një grusht të vogël njerëzish, ndërsa pensionistët janë lënë në mjerim.

Sipas tij, skema aktuale e pensioneve po shkon drejt falimentimit për shkak të shpopullimit masiv dhe rënies së kontributeve, ndërsa indeksimet e vogla dhe bonuset elektorale nuk janë zgjidhje afatgjata.

Basha shprehet se programi i Demokratëve Euroatlantikë ka një plan konkret që përfshin: rritje të pensioneve me të paktën 20%, indeksim të përvitshëm me dyfishin e vlerës së inflacionit, bonus të përhershëm prej 250 mijë lekësh të vjetra për pensionet e ulëta si dhe rimbursim të barnave jetike për pensionistët.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës:

Bonuset elektorale të lëvruara për të fshehur premtimin e pambajtur ndaj pensionistëve, nuk e fshehin dot dështimin e qeverisjes më të korruptuar në Europë.

Nën pushtetin arrogant dhe klientelist të Edi Ramës Shqipëria prodhoi një ekonomi në shërbim të një grushti të vogël njerëzish, duke lënë në mjerim pensionistët. Shpopullimi masiv dhe taksat e larta kanë dëmtuar sipërmarrjen, duke krijuar pasoja të rënda për skemën e pensioneve, prandaj indeksimet qesharake dhe lëmosha elektorale nuk janë zgjidhje, por arnime.

Pensionistët shqiptarë janë viktimat e keqqeverisjes dhe korrupsionit të përhapur në çdo degë të qeverisjes, ndaj zgjidhja nuk është pikatorja me interesa politike, por një ndryshim rrënjësor që i hapë rrugë një qeverie që kujdeset për pensionistët dhe familjet shqiptare.

Një qeveri që i ka shërbyer vetëm vetes në 12 vjet, nuk i shërben dot shqiptarëve edhe për katër vite të tjera.

Pensionistët shqiptarë meritojnë më shumë dhe përmes programit të Demokratëve Euroatlantikë, ne jemi të vendosur të trajtojmë në themel problemet e skemës së pensioneve, që sot është në prag të falimentimit, për shkak të largimit masiv të shqiptarëve dhe rënies së kontributeve.

Angazhimi ynë konkret për rritje me të paktën 20% të pensioneve dhe indeksim të përvitshëm me dyfishin e vlerës së inflacionit, dhe bonus të përhershëm prej 250 mijë lekësh të vjetra për pensionet e ulëta, është detyrim i pashmangshëm për moshën e tretë, e cila meriton më shumë. Po ashtu ne do të rimbursojmë barnat jetike për pensionistët, në mënyre që të mos çojnë pjesën më të madhe të pensionit për të blerë ilaçe.

Rimëkëmbja e sistemit të pensioneve dhe rritja ekonomike e garantuar nga ulja e taksave, mirëqeverisja dhe lufta frontale kundër korrupsionit, do të na mundësojë t’u japim pensionistëve shqiptarë një jetë të dinjitetshme.

Shqipëria meriton më shumë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat