Gazetarja Klodiana Lala në emisionin “Open” në News24 duke dhënë detaje lidhur me operacionin e SPAK që çoi në zbulimin e laboratorit të kokainës në Qerekë, tha se grupi kriminal ka marrë liçencën e një kompanie të themeluar në 2020 që kishte si aktivitet importimin e lëkurëve të kafshëve.
Lala, referuar të dhënave hetimore, tha se grupi kriminal ka sjellë 24 ton lëkurë të regjura lope, që janë transportuar në një magazinë në zonën e Mulletit.
Ajo tha se këto lëkurë të regjura vinin nga Republika Domenikane, ndërsa në territorin shqiptar kanë hyrë nga Porti i Durrësit.
Lala tha se për dy ngarkesat e lëkurëve të lopëve janë paguar 44 mijë dollarë, ndërsa në dy ngarkesat janë ardhur 48 tonë lëkurë lopësh.
Gazetarja u shpreh se shtetasit e huaj, dy venezuelianët dhe kolumbiani do të kishin rolin e kimistëve, pra do të ndanin drogën nga lëkurët.
“Prokuroria ka përdorur të gjitha metodat e hetimit, përfshi edhe përgjimet. SPAK ka bërë 3 blerje të simuluara, janë bërë akt-ekspertime për të parë mbi gjurmët, apo nëse ka pasur gjurmë droge te këto lëkurë.
Në momentin që SPAK është bindur se në lëkurë kishte kokainë, ka ndërhyrë dhe arrestoi një venezuelian në Rinas, teksa po largohej nga Shqipëri. Venezueliani tjetër u kap në një banesë luksoze te Kodra e Diellit2, ndërsa kolumbiani u arrestua në Vishnje, teksa po darkonte në një restorant.
SPAK ka folur vetëm për 6 kg kokainë që është kapur. Qereka është një fshat pranë Rinasit dhe Portit të Durrësit, pra një pikë strategjike. Ka edhe një detaj që duke qenë pranë aeroportit ndërkombëtar, kjo zonë nuk mund të monitorohet me dron për shkak të fluturimeve me avion”, tha Lala.