Monika Kryemadhi bashkë me vajzën e saj u paraqitën dje në SPAK për tu njohur me dosjen, ndërsa sot në Apelin e GJKKO-së do të mbahet seanca për vlerësimin e masës së sigurisë për të dhe Ilir Metën. Ish-kryetarja e LSI-së, aktualisht deputete e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi po hetohet nga SPAK për tre akuza pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA. Po për këtë dosje po hetohet bashkëshorti i saj, Ilir Meta.
Aktualisht ai ndodhet në paraburgim, pasi ndaj tij SPAK ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg. Teksa është shfaqur në godinën e organit të akuzës, ligjvënësja është shprehur se ndodhej aty për të marrë dosjen.
“Erdha të lexoj fashikujt e dosjes”, ka thënë shkurtimisht Kryemadhi, pa dhënë detaje të tjera.
Ndërkohë Meta, i cili ndodhet në paraburgimin e 313 përmes një postimi në “Facebook” u ka bërë thirrje mbështetësve të mos i bashkohen protestës që është parashikuar për nesër nga persona të paautorizuar nga vetë ai.
“Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Partisë së Lirisë! “Siç jeni në dijeni, nesër në ora 10:00, në Gjykatën e Apelit (GJKKO) zhvillohet seanca gjyqësore me objekt revokimin e masës së paligjshme të arrestit me burg të aplikuar ndaj meje prej një muaji. Jam në dijeni të iniciativave të personave të paautorizuar nga unë apo spontane për të protestuar përpara gjykatës. Ju bëj me dije se veprime të tilla janë të padobishme dhe të dëmshme. Betejën time ligjore e kam bazuar në parashtrimin e gjithë të vërtetave përpara gjykatës duke denoncuar inekzistencën e provave ndaj meje në këtë proces kryekëput politik. Në këto kushte, çdo grumbullim apo protestë para gjykatës në ditën e gjykimit i konsideroj si shpërqendrim të opinionit publik ndaj thelbit të çështjes, ndaj ju bëj thirrje të distancoheni nga çdo iniciativë për grumbullime dhe protesta”, shprehet Meta. Shorti i Apelit të GJKKO-së ka caktuar gjyqtaren Igerta Hysi për të shqyrtuar ankimimin e Kryemadhit dhe të Ilir Metës.