VOA/ Apeli konfirmon masat e sigurisë ndaj Metës dhe Kryemadhit

Shqipëria

VOA/ Apeli konfirmon masat e sigurisë ndaj Metës dhe Kryemadhit

Më: 19 nëntor 2024 Në ora: 21:14
SPAK Godina

Në Shqipëri, në Gjykatën e Apelit la sot në fuqi masën e “arrestit me burg” për ish presidentin Ilir Meta dhe atë të “detyrim paraqitje” ndaj deputetes Monika Kryemadhi, pas ankimimit që të dy kishin bërë në këtë gjykatë.

Zoti Meta u arrestua më 21 tetor, nën dyshimet për disa vepra penale, “korrupsion” në 3 raste, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”. Hetimet ndaj tij përfshijnë disa çështje, që nga kontrata CEZ-DIA për mbledhjen e borxheve të energjisë elektrike, te një kontratë lobimi të LSI-së me një kompani në Shtetet e Bashkuara, dyshimet për favorizimin e një kompanie vendase në fushën e telefonisë celulare, apo dhe të një sipërmarrësi shqiptaro-amerikan, për një marrëveshje interkoneksioni në fushën e telekomunikacionit, dyshime për blerjen me para të pajustifikuara nga burime të ligjshme të një apartamenti në Tiranë si dhe mosdeklarim të shpenzimeve mjekësore.

Ish presidenti në fjalën e tij të mbrojtjes, teksti i së cilës u bë publik, hodhi poshtë në mënyrë kategorike dyshimet e ngritura ndaj tij, duke folur sërish për një proces të ndikuar politikisht. “SPAK ka vetëm një target politik, Ilir Metën, i cili duhet të qëndrojë me çdo çmim, presion dhe manipulim në burg në kushtet e një izolimi ekstrem, jo vetëm për t’iu vështirësuar mbrojtja përballë këtyre dyshimeve absurde pa asnjë provë, por për t’iu paralizuar sa më shumë aktiviteti politik si Kryetar i Partisë së dytë opozitare në vend”, deklaroi ndër të tjera ai.

Edhe avokati i tij, Genc Gjokutaj, në mbyllje të seancës gjyqësore, e quajti të paarsyetuar mbajtjen e zotit Meta në burgim, përsa kohë nuk ka asnjë rrezik për prishjen e provave, të cilat sic tha ai tashmë janë mbledhur nga prokuroria.

Zonja Kryemadhi, ndaj së cilës rëndojnë dyshimet për të njejtat vepra penale si zoti Meta, me të cilin është prej disa muajsh në proces divorci, foli, në dalje nga gjykata, po ashtu për prova të falsifikuara sipas saj nga ana e prokurorisë.

Në Gjykatën Kushtetuese, çështja e masës së sigurisë ndaj zoti Berisha

Po sot Gjykata Kushtetuese shqyrtoi në seancë të mbyllur, dokumentat e paraqitura nga palët në procesin lidhur me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të lëvizjes jashtë vendit” që Prokuroria e Posaçme mori ndaj ish kryeministrit Sali Berisha në Tetor të vitit të kaluar, në kuadër të hetimeve ndaj procedurave për privatizimin e ish Kompleksit sportiv Partizani.

Zoti Berisha e ka cilësuar këtë masë në shkelje të kushtetutës pasi sipas tij do të duhej të ishte marrë më parë autorizimi nga ana e parlamentit.

Kushtetuta përcakton në Nenin 72, pika 2 se “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit”. Sipas Prokurorisë së Posaçme, masat e sigurisë ndaj ish kryeministrit nuk përbëjnë heqje të lirisë, por kufizim të saj, e për këtë arsye nuk kishte pse të kërkohej autorizim nga parlamenti.

Zoti Berisha, këmbënguli në qëndrimin e tij. Ndërsa deklaronte se nuk mund të pranonte të shkelte kushtetutën, ai injoroi urdhërin e gjykatës që e detyronte të paraqitej dy herë në muaj pranë një oficeri të policisë gjyqësore. Pas këtij qëndrimi, Prokuroria kërkoi autorizim për “arrest shtëpie” ndaj tij, për mos bindje ndaj urdhërit të Gjykatës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat