Xhesika Grami oficere e sigurisë në shkollën “Sami Frashëri” në rubrikën “Opinion” në News24, duke folur për vrasjen e 14-vjeçarit, që u qëllua për vdekje me thikë nga një bashkëmoshatar i tij, tha se është një ngjarje vërtet e tmerrshme.
“Jemi të alarmuar nga kjo ngjarje, nuk kemi pasur një komunikim dhe nuk e dimë si ka ndodhur, por mund të të them se risku është për të gjithë ne.
Ne mundohemi pafund ti monitorojmë këta fëmijë. Një oficer sigurie në një shkollë me 1500 nxënës do raportojë ato që syri i tij sheh. Oficeri i sigurisë, ka një praktikë pune, që përcaktohen të gjitha hapat që ndiqen.
Në momentin që merret informacioni që ka ndodhur një incident, patjetër që merren masa. Gjithçka varet nga rasti. Një fëmijë mund të ngrejë zërin, mund të ketë edhe një keqkuptim me sy, ne i thërrasim, e pyesim se çfarë ka ndodhur.
Kemi një plan masash në bashkëpunim me shërbimin psiko-social, komunikohet me punonjësin e policisë që mbulon zonën.
Edhe prindërit kanë dështuar në një lloj mënyre, pasi ne nuk arrijmë dot as ti kontrollojmë telefonin, pasi i kodojnë”, tha Grami.
Lidhur me ngjarjen e ndodhur te shkolla “Fan Noli”, Grami tha se nuk mund të flasë me detaje pasi nuk ka arritur as të komunikojë me oficerin e sigurisë në këtë shkollë, për shkak se është një ngjarje që i ka tronditur të gjithë.