Gazetarja Klodiana Lala ka treguar për herë të parë se një nga shokët police të cilin Klaudio Prendi kishte qenë ulur në lokal para se të vritej, i ishte vënë pas autorëve me “Audi RS6”, por mjeti i kishte humbur rrugës.
“E kanë mbajtur nën vëzhgim deri në momentin që është shkëputur nga punonjësit e policisë. Automjeti dyshohet se ka patur brenda tre persona. Afrohet dhe qëllon shtatë plumba me pistoletë me silenciator. Tre plumba e kanë kapur në kokë dhe trup.
Ka qenë i vdekur që në momentin e parë, pavarësisht miqve të tij që kanë tentuar ta çojnë në spital. Një nga punonjësit e policisë ka tentuar ta ndjekë automjetin e autorëve, por më pas e ka humbur. I kanë shpëtuar edhe punonjësve të policisë. Ata thonë nuk kemi patur dijeni për konfliktet apo problemet e Klaudio Prendit”, është shprehur gazetarja e kronikës në TPZ. Djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi u ekzekutua brenda makinës së tij “Mercedes Benz G Class”, vetëm pak sekonda pasi ishte futur në të. Siç ka rezultuar dhe në pamjet e publikuara nga neësbomb.al, autorët me “Audi RS6” i shkojnë paralel dhe e qëllojnë disa herë.
Gazetarja Klodiana Lala ka treguar detaje dhe për tre pistat që janë duke u hetuar aktualisht nga Prokuroria e Tiranës, të cilat lidhen me aktivitetin personal të 30 vjeçarit, por dhe karriera e babait në sistemin e drejtësisë. Sipas saj, Klaudio ka qenë në Dubai dhe disa vende të BE dhe hetuesit janë fokusuar dhe të udhëtimet jashtë vendit.
“Janë tre pista, njëra me lojrat e fatit. Problemi i dytë, tre konflikte për borxhe. Prendi kishte vajtur në polici, kishte patur një përplasje me një person që nuk pranohej borxhi. Pista e tretë, funksioni që ka patur Fran Prendi në drejtësi.
E ka nisur karrierën në vitin 95’, gjyqtar në Tropojë, Pukë dhe nga 2006, gjyqtar të Krimet e Rënda. KA dhënë vendime shumë të rëndësishme, me impakt shumë të lartë. Një ndër vendimet ka qenë ndaj Shullazit dhe grupit të tij kriminal. Nuk ka fakte dhe indicie që e lidhin me funksionet por po shihet. Një vendim tjetër, për Salvatore Letician, që kreu masakrën në Bulevardin Zogu I”, ka thënë ajo.